Në Gjykatën Speciale, ai ka thënë të martën se UÇK-ja u krijua nga poshtë-lart dhe si dëshmi të kësaj përmendi mënyrën se si është bërë komandant zone Ramush Haradinaj. Sipas tij, Haradinaj u zgjodh komandant i Zonës së Dukagjinit, pasi për të u pajtuan banorë të 40 fshatrave
Ish-anëtari i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Naim Maloku, ka deklaruar të martën në Hagë se Ushtria Çlirimtare u krijua nga poshtë-lart.
Gjatë dëshmisë në Speciale, në rastin më të madh gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, shembull të kësaj Maloku përmendi zgjedhjen e Ramush Haradinajt në krye të Zonës së Dukagjinit, që tha se u bë pasi për këtë u pajtuan banorët e 40 fshatrave.
“Urdhrin e parë e kam marrë nga drejtoria operative e Shtabit të Përgjithshëm në Zonën Operative të Dukagjinit, që kjo ka ndodhur në janar ‘99, pra urdhri i vetëm që e kam marrë. Unë i kam thënë edhe ZPS-së: nuk mund t’i kuptoni këto, është e vështirë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ngritur nga poshtë-lart. Nuk ka pasur urdhra, ka pasur votime me gisht, propozime, pajtime që Naim Maloku të jetë zëvendëskomandant – pajtime që Ramush Haradini, 40 fshatra, të jetë komandant zone. Pra, nuk ka pasur urdhra, ndërtim të strukturës nga lart-poshtë”, ka thënë Maloku.
Beteja kryesore që bëhet në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit është për përgjegjësinë që Shtabi i Përgjithshëm ka pasur për krimet që mund të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së.
Mbrojtja e të akuzuarve ka mohuar se Shtabi ka pasur kontroll efektiv mbi komandantët rajonalë dhe ushtarët.
Gjatë dëshmisë, ish-oficeri në armatën e ish-Jugosllavisë ka thënë se gjatë shërbimit në UÇK nuk ka pasur urdhra nga lart-poshtë dhe se kjo ia ka vështirësuar punën si ushtarak.
“Unë jam ushtarak. Më lehtë është për një ushtarak kur ka urdhra nga lart dhe i caktohen detyrat sesa kështu”, ka shtuar ai.
Këtë e theksoi gjatë përgjigjeve që ka thënë në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq.
E, paraprakisht Malokut i ka parashtruar pyetje prokurori James Pace. Atë e përballi me një intervistë të Krasniqit, në të cilën kishte thënë se Maloku si ish-oficer i Armatës Jugosllave ka vështirësi ta pranojë tranzicionin nga mercenar, në luftëtar të lirisë.
Maloku ka thënë se nuk e ka diskutuar ndonjëherë me Krasniqin qëndrimin që ka dhënë për të.
Ai u përball nga prokurori edhe me disa intervista të tij, që ka dhënë gjatë luftës, dhe konfirmoi se në njërën prej tyre ka thënë se “ushtria është e popullit e shteti i takon kryetarit të shtetit, presidentit Ibrahim Rugova”. Maloku pranoi se ishte telefonuar nga Thaçi dhe se i ishte kërkuar të mos jepte më intervista. Por tha se kërkesës iu përgjigj, duke i thënë se mund të debatonte për këto çështje kur Thaçi të kthehej në Kosovë.
“Nuk kam pasur probleme gjatë intervistave të mia. Vetëm kam dashur që të institucionalizohet, që institucioni të merret”, ka thënë Maloku.
Mes tjerash, Specialja akuzon ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së edhe për vrasje të kundërshtarëve politikë, përkatësisht aktivistëve të Lidhjes Demokratike, që drejtohej nga Rugova.