LAJMET E MBRËMJES

LVV: Numri i kontratave njëburimore ka rënë në Qeverinë Kurti

Përfaqësues të partisë në pushtet i kanë quajtur propagandë akuzat e opozitës për lidhje të numrit të lartë të kontratave njëburimore. Ata thanë se kontratat, si për nga numri, ashtu edhe për nga vlera, kanë shënuar rënie gjatë dy vjetëve të fundit të Qeverisjes Kurti. E deputeti Armend Muja theksoi se para ardhjes në pushtet të LVV-së, me anë të këtyre kontratave, përfitime ka nxjerrë Serbia

Përfaqësues të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) i kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura nga opozita për numrin e lartë të kontratave njëburimore, të nënshkruara nga Ekzekutivi dhe nga ndërmarrjet publike, gjatë qeverisjes aktuale.

Deputeti Armend Muja, gjatë një konference për shtyp të shtunën, tha se bazuar në të dhënat e prezantuara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, që nga ardhja në pushtet e Vetëvendosjes, kontratat e negociuara të nënshkruara nga ministritë dhe në fushat e energjisë elektrike, të mbrojtjes dhe të arsimit kanë shënuar rënie si për nga numri, ashtu për nga vlera monetare.

“Numri i kontratave të negociuara, nëse përfshihen vetëm ministritë, ka pësuar rënie të dukshme, sidomos në vitet e fundit. Pra, në vitin 2023 ishin 59 kontrata, në vitin 2012, 110, në vitin 2018, 136 dhe në vitin 2015, 155, në vitin 2014, 179, në vitin 2013, 203 dhe rekordi ishte 206 kontrata në vitin 2010. Këto janë nga të dhënat e KRPP-së”, ka thënë Muja.

Tek iu referua të dhënave nga Dogana, Muja theksoi se krahasuar me vitet e kaluara, kur në pushtet kanë qenë parti të tjera, ka rënë edhe importi i energjisë elektrike nga Serbia nëpërmjet kontratave të negociuara. 

“Se kah ka importuar Kosova energjinë elektrike, unë i jam drejtuar Doganës. 2008-2013 vlera e energjisë, e importuar deri në vitin 2023 ishte 901 milionë euro. 2008-2018 reflekton një dominim të Serbisë si vend të importit të energjisë elektrike. Nga viti 2019, reflekton dominimin e Sllovenisë. Në vitet e fundit nuk importohet asgjë nga Serbia. I gjithë debati që është reflektuar ka qenë rezistenca e mafisë energjetike nga Serbia për ta rikthyer tregun e Kosovës, por që e ka humbur”, ka thënë Muja.

E deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Haliti, i quajti propaganda të partive opozitare, pretendimet mbi kontratat njëburimore. Ai theksoi se nga viti 2021 e deri më tash, rreth 43 për qind e kontratave të negociuara janë në kuadër të komunave. 

“Ndërsa sa u përket ministrive ku ka qenë debat i opozitës, e kemi thënë se që nga viti 2021 deri në vitin 2024, ato kontrata që janë nënshkruar me negocim kanë të bëjnë me furnizimin me pasaporta, blerjen e mikrosoftit për administratën publike që kanë qenë të pamundura që të prokurohen në mënyra të tjera”, ka thënë Hoti.

Debati mbi kontratat njëburimore ka nxitur përplasje të shpeshta midis përfaqësuesve të opozitës dhe atyre të pushtetit.

Kontratat njëburimore apo me negocim direkt janë të lejuara me Ligjin për Prokurimin Publik. Por, ky ligj parasheh përdorimin e kësaj procedure në rastet e emergjencave ekstreme.