LAJMET E MBRËMJES

LVV: Nuk është prishur koalicioni LDK-PDK në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ka kritikuar PDK-në, duke thënë që nuk e ka shkëputur 100 për qind koalicionin me LDK-në në Prishtinë. Kjo pasi, sipas asamblistëve, 4 nga kryeshefat e ndërmarrjeve publike komunale ende janë të PDK-së. LVV-ja ka iniciuar shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci, për shkak të mungesës së seancave të rregullta

Më 8 shkurt PDK-ja ka dalë nga koalicioni qeverisës me LDK-në në Prishtinë, duke hequr dorë edhe nga aksionarët në ndërmarrjet publike.

Por në Vetëvendosje thonë se nuk janë të sigurt nëse PDK-ja e ka prishur koalicionin tërësisht me LDK-në, pasi, sipas tyre, në krye të disa ndërmarrjeve publike vazhdojnë të udhëheqin figura të PDK-së.

“Shumica e drejtorëve janë prej LDK-së. Te ndërmarrjet publike nuk ka ndonjë risi – ato vazhdojnë të qeverisin 4 nga LDK-ja, 4 nga PDK-ja. Si pasojë e kësaj mjegulle, Kuvendi Komunal është i bllokuar. Nuk ka mbledhje dhe shumicë parlamentare. Kësisoj, kanë ngecur edhe zgjidhjet për problemet”, ka thënë Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes. “Nuk jam i sigurt nëse janë ndarë 100 për qind PDK-ja dhe LDK-ja”.

Të njëjtën e ka theksuar edhe një koleg i tij.

“Këto ndërmarrje vazhdojnë të udhëhiqen nga PDK-ja. Këta zyrtarë të PDK-së sa janë ende në këto pozita vazhdojnë të punësojnë militantë nëpër këto ndërmarrje. Pse nuk po ua kërkon dorëheqjen e tyre? PDK-ja nuk mund ta luajë rolin e opozitarit me njërën këmbë në pushtet dhe tjetrën në opozitë”, ka thënë Mirsad Vitija, asamblist i LVV-së.

Me 18 nënshkrime, LVV-ja e ndihmuar nga një pjesë e AAK-së, AKR-së dhe asamblistit të pavarur Fehmi Kupina, ka thirrur mbledhje të Kuvendit Komunal, për t’u mbajtur javën që vjen.

Me këtë synohet të shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci. Shkak për këtë, sipas LVV-së, është mungesa e seancave të rregullta.

“Ne nuk kemi mbledhje të rregullta që nga viti i kaluar. Ne së bashku me asamblistët e tjerë të opozitës kemi iniciuar seancë për shkarkimin e kryesuesit. Unë i ftoj të gjithë asamblistët të marrin pjesë në seancën e thirrur për të martën”, ka thënë Nora Kelmendi, asambliste e LVV-së.

KOHA ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK-së, por ai gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje.

Nëse PDK-ja, që tashmë është në opozitë, nuk e voton kërkesën e LVV-së dhe të tjerëve, kryesuesi Pëllumb Bajqinovci nuk do të mund të shkarkohet.