Partia në pushtet i ka quajtur propagandë akuzat e opozitës drejtuar ndaj saj për lidhje të numrit të lartë të kontratave njëburimore. Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje theksuan se numri i kontratave të lidhura me negocim ka shënuar ulje në dy vjetët e fundit. Për ta mbështetur këtë, përdorën të dhëna nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, e në të cilat rezulton se rekordi për kontrata të tilla u shënua më 2020, kur për katër muaj kryeministri ka qenë nga Lëvizja Vetëvendosje
Përfaqësues të Vetëvendosjes thonë se numri i tenderëve të lidhur me negocim e pa njoftim të publikimit për kontratë është ulur në dy vjetët e fundit, gjatë qeverisjes së kësaj partie.
Në një konferencë shtypi, dy deputetë të LVV-së iu referuan shifrave të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, tek kanë thënë se sivjet dhe një vit më parë, kontrata njëburimore u lidhën më pak se në cilindo vit tjetër që nga 2008-a.
Por, bazuar në këto shifra, viti 2020 e shënon periudhën me numër rekord kontratash njëburimore – gjithsej 885. Në këtë periudhë, Vetëvendosja qeverisi për katër e LDK-ja për shtatë muaj.
Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka theksuar se gati gjysma e kontratave gjatë katër vjetëve të fundit janë lidhur nga Komunat, ndonëse nuk argumentoi se nga cilat institucione u lidhën më së shumti kontrata gjatë qeverisjeve paraprake.
“43 për qind e të gjitha kontratave të nënshkruara të negociuara i kanë nënshkruar komunat. Ndërmjet vitit 2021 dhe 2024, Komuna e Prishtinës i ka nënshkruar 114 kontrata të negociuara ose njëburimore, pasuar nga Komuna e Gjakovës dhe kryesisht komuna, në të cilat udhëheq opozita. Në Prishtinë, qeveris LDK-ja me PDK-në”, ka thënë Muja.
Deputeti tjetër i LVV-së, Driton Hyseni, është shprehur se kritikat e opozitës nuk janë të sinqerta.
“Të gjitha të gjeturat e demaskojnë jashtëzakonisht shumë mirë këtë luftë të opozitës kundër Qeverisë, sepse jemi duke folur për një ligj të prokurimit publik, i cili është aplikuar në formë të njëjtë edhe më herët dhe rekordet e kontratave me negocim direkt i gjeni në vitet që nuk i takojnë kësaj Qeverie, i gjeni në qeverisjet e kaluara”, ka thënë Hyseni.
Të dhënat e prezantuara nga deputetët treguan se për katër vjet u lidhën 2045 kontrata, 157 më pak sesa në periudhën e qeverisjes së PDK-së e LDK-së, nga 2014 deri më 2017.
Por, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka theksuar se tenderët njëburimor i demaskojnë keqpërdorimet e fondeve publike nga Qeveria.
“Në Kosovë, gjatë qeverisjes Kurti, janë më shumë se 2400 tendera njëburimorë, janë afër 300 milionë tendera të negociuar. Këta tendera të negociuar janë të negociuar në tavolinë. Ne nuk e dimë çka ka ndodhur, ne e kemi ftuar Prokurorinë dhe fatmirësisht kishin filluar edhe hetimet që të gjithë ata tendera do të hetohen dhe do të shihet se ku ka pasur nevojë dhe ku ka pasur shkelje të ligjit dhe të mbërrihet deri te abuzuesit”, ka thënë Zemaj.
Kontratat njëburimore apo me negocim direkt janë të lejuara me Ligjin për Prokurimin Publik. Por, ky ligj parasheh përdorimin e kësaj procedure në rastet e emergjencave ekstreme.