LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja e PDK-ja thërrasin seancë për anulimin e shkëmbimit të pronave

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të hënën do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal për anulimin e shkëmbimit të pronave në Badoc. Thirrje të njëjtë bënë edhe në PDK, të cilët njoftuan se kanë filluar edhe procesin e nënshkrimeve për thirrje të seancës së jashtëzakonshme

Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës për anulimin e shkëmbimit të pronave në Badoc.

Përmes një njoftimi në Facebook, Vetëvendosje ka bërë të ditur se të hënën do të shtrojë kërkesën për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme të enjten.

“Ftojmë të gjitha subjektet politike të bashkohen në këtë nismë jetike për mbrojtjen e pronës publike. Është koha për veprime konkrete e jo fjalë. Andaj, duhet të veprojmë sa më parë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Thirrje për mbajtje të seancës ka bërë të dielën edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Luetrim Retkoceri, asamblist i kësaj partie, ka thënë se kanë filluar procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për të kundërshtuar procesin e këmbimit të pronës komunale në Prishtina e Re me atë private në Badoc, për të cilën raportoi KOHA.

“LVV kishte thënë publikisht se e mbështetë nëse marrim konfirmimet e nevojshme ligjore dhe iu qasëm në bazë të fjalëve të tyre publike për të vepruar për të mirën e përbashkët. Derisa po merrnim nënshkrimet e nevojshme në terren, pamë që LVV doli me njoftim publik për iniciativën e njëjtë. Shumë mirë. Për ne nuk ka pas asnjëherë rëndësi kush thërret mbledhje. Këtë e kemi dëshmuar edhe me rastin e mbledhjes për faljen e tatimit në pronë. Nuk kemi nevojë as tash për protagonizmin e njëjtë. Ne mbështesim cilëndo thirrje për anulimin e vendimi”, ka shkruar ai në Facebook.

Të mërkurën e javës së shkuar ekzekutivi në Prishtinë e bojkotoi seancën e Kuvendit Komunal që e thirri vetë, me qëllim të vendosjes për shumë çështje, mes të cilave edhe për propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që të anulohej vendimi mbi këmbimin e pronave.

KOHA ka raportuar se si para tre vjetësh Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarësh tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje.

Projekti qe ndaluar në kohën kur Lumir Abdixhiku ishte ministër i Ambientit.

Por në fund të muajit të shkuar, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re dhe ku lejohet ndërtimi.

Pasi KOHA ka publikuar një seri të shkrimeve Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet parapenale lidhur me këmbimin e tokave nga Komuna e Prishtinës.