LAJMET E MBRËMJES

Luftë për bërllokun mes pushtetit e opozitës në Prishtinë

Vendimi për pezullimin e rregullores së re për mbeturina në kryeqytet, i marrë nga Komuna e Prishtinës pa përgjigje të Gjykatës Kushtetuese, është konsideruar antiligjor nga opozita, ndërmarrja “Pastrimi” dhe nga juristë. Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, thotë se në asnjë rrethanë nuk ka të drejtë ekzekutivi komunal ta bëjë pezullimin e rregullores, me anë të së cilës ndërmarrjes “Pastrimi” i është mundësuar t’i arkëtojë mjetet për shërbimin që ofron

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi”, për muajin janar.

Në fund të dhjetorit, asambleja komunale me inicimin e PDK-së dhe me ndihmën e LVV-së, kanë votuar plotësimndryshimin për rregulloren e re për mbeturina. Nëpërmjet ndryshimeve, inkasimi i faturave për kryeqytetasit bëhet nga KRM “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës.

Edhe pse Ministria e Mjedisit e pati cilësuar rregulloren e ndryshuar në harmoni me ligjin për mbeturinat, në shenjë pakënaqësie ekzekutivi i komunës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin, por gjykata ende nuk ka marrë ndonjë vendim.

Pavarësisht kësaj, Komuna të mërkurën ka dalë me njoftim, në të cilin thuhet se qytetarët, tash faturat duhet t’i paguajnë në komunë e jo në KRM “Pastrimi”.

Kryetari Përparim Rama ka thënë se rregullorja e Kuvendit Komunal është pezulluar dhe këtë e ka bërë duke u konsultuar vetëm me zyrën ligjore komunale.

“Pas pezullimit të plotësimndryshimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga ndërmarrja KRM ‘Pastrimi’ nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë. Nga tani e tutje, pagesat për këtë shërbim duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka konfirmuar se Zyra ligjore e Komunës ka rekomanduar pezullim të menjëhershëm të rregullores.

“Ne e kemi dërguar vendimin për plotësimndryshimin në Gjykatë Kushtetuese, kemi marrë një rekomandim nga zyra ligjore e komunës, që në bazë të një ligji, i cili ka hyrë në fuqi, kjo nënkupton pezullim të menjëhershëm për plotësimndryshimet e akteve nënligjore në momentin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, që me automatizëm nënkupton pezullim të vendimit për plotësimndryshim të rregullores të votuar në Kuvendin e Komunës së Prishtinës”, ka thënë Brestovci.

E, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, e ka cilësuar antiligjor vendimin për pezullim të rregullores.

“Është krejtësisht antiligjor vendimi i organeve drejtuese të Komunës së Prishtinës, saktësisht të kryetarit Rama për pezullimin dhe plotësimndryshimin për mbeturina. Pa dashur të lëshohem në pezullim, ky stil cowboy i kryetarit Rama dëshmon edhe një herë qasjen e tij që e ka ndaj institucioneve dhe procedurave administrative. Nuk mundet asnjë organ i Komunës që të mbivendoset mbi vendimet e Kuvendit Komunal. KK është organi më i lartë dhe vendimet shqyrtohen nga Ministria dhe nuk mundet as Rama e as një institucion tjetër që t’i pezullojë vendimet, përveç gjykatës. Kjo është joligjore, zyra ligjore në komunë është e tëra në funksion të Ramës”, ka thënë Sveçla.

Edhe në Institutin e Kosovës për Demokraci e kanë vlerësuar si antiligjor vendimin e fundit, të marrë nga Komuna. 

“Nëse Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do ta shqyrtojë këtë rast apo do ta shpallë kërkesën të papranuar. Sidoqoftë në këtë situatë palët kanë të drejtë të kërkojnë nga Gjykata shpalljen e masës së përkohshme, derisa Gjykata të nxjerrë aktgjykim apo deri në momentin që Kuvendi Komunal, nuk e shfuqizon këtë rregullore. Në asnjë rrethanë nuk ka të drejtë ekzekutivi komunal ta bëjë pezullimin e rregullores”, ka thënë Gëzim Shala, hulumtues në IKD.

Edhe në ndërmarrjen “Pastrimi” e kanë vlerësuar vendimin si të jashtëligjshëm dhe arbitrar.
Në reagimin e kësaj ndërmarrjeje thuhet se e dënojnë ashpër vendimin, pasi sipas tyre 
shkel institucionet dhe dëmton qytetarët.

Të hënën, Komuna e Prishtinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme me mbeturinat, në ditën kur i skadoi kontrata operatorit “Alko Impex”, që për një vit i ka grumbulluar mbeturinat e qendrës së qytetit.