LAJMET E MBRËMJES

Lista Serbe ankohet në PZAP ndaj vendimit të KQZ-së për moscertifikim

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka kohë deri të enjten që të konfirmojë ose të hedhë poshtë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosccertifikim të Listës Serbe. Vendimi i KQZ-së është apeluar në PZAP nga Lista Serbe, derisa udhëheqës të saj fajtor për të e bënë kryeministrin Albin Kurti. E kryeministri Kurti ka thënë se Lista Serbe është krahu politik i Milan Radoiçiqit për aq kohë sa ai nuk dorëzohet te autoritetet e Kosovës.

Lista Serbe është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas moscertifikimit për pjesëmarrje në zgjedhje.

Pranimin e ankesës nga Lista Serbe e kanë konfirmuar nga PZAP-ja derisa kanë thënë se vendimin do ta marrin brenda afatit ligjor.

Sipas Ligjit për Zgjedhje, PZAP-ja duhet të vendosë për ankesën brenda 48 orëve nga pranimi i saj.

Paraprakisht, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, në një konferencë për media, fajin për moscertifikim ia hodhi kryeministrit Albin Kurti.

“Unë në vend të Kosovës thashë Republikën e Serbisë. Unë jam krenar për ato fjalë dhe qëndroj me vendosmëri pas gjithçkaje që u tha. Kjo flet shumë për faktin se sa gjemb është Lista Srpska në syrin e Kurtit. Kjo nuk është shkelje e ligjit dhe nuk mund të rezultojë në eliminimin e saj nga gara zgjedhore. Po jua jap një shembull të listës së z. Jablanoviq, i cili edhe ai e përdor temën e Kosovës dhe Metohisë si unë, kështu që lista e tij konfirmohet për zgjedhje. Jemi të vetëdijshëm për të gjitha keqbërjet e Kurtit ndaj Listës Serbe, sepse ai e sheh listën tonë si kundërshtarë”, tha Ellek.

E kryeministrit Albin Kurti ka thënë se Lista Serbe është krahu politik i Milan Radoiçiqit për aq kohë sa ai nuk dorëzohet te autoritetet e Kosovës.

Sipas tij, Radoiçiq është kryetari de facto i këtij subjekti politik.

Presidentja Osmani ka deklaruar se çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja duhet të respektohet.

Osmani ka thënë se Lista Serbe është angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.

Por moscertifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngjallur reagime të shumta.

Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian e Gjermanisë të martën i është bashkuar edhe Britania e Madhe.

Ambasadori Jonathan Hargreaves i ka bërë thirrje KQZ-së që t`i ndjekë procedurat ligjore e jo interesat politike.

“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore dhe jo të interesave politike. Ne presim që KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët e saj të vlerësojnë certifikimin e Listës Serbe, sipas zbatimit gjithëpërfshirës dhe transparent të rregulloreve përkatëse”, ka shkruar Hargreaves.

Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë vendimin e KQZ-së e ka quajtur politik.

“Shprehim shqetësimin tonë lidhur me vendimin politik të marrë nga KQZ-ja për të mos i certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme. Ne besojmë se sundimi i ligjit do të udhëheqë edhe një herë veprimet e këtij institucioni jetik, që është përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave politike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovë”, u tha në reagimin e Ambasadës së Italisë.

E anëtari i AAK-së në KQZ, Ibrahim Selmonaj, tha se me ankesën në PZAP vendimi i KQZ-së ka marrë një rrugë tjetër.

Sipas tij, KQZ-ja nuk e ka për detyrë të merret me deklaratat e subjekteve politike, ashtu siç kanë bërë disa anëtarë të saj.

“KQZ-ja e ka rolin e vet kushtetues, na nuk jemi aty me komentu çka thotë Lista Serbe ose kushdo qoftë prej politikanëve. Ne duhet me i zbatu ato ligjet të cilat janë edhe të aprovuara, edhe të zbatuara në Kosovë. Ky është roli ynë. Merremi me organizimin e zgjedhjeve e jo me komentet çka flasin subjektet politike. Janë organet e tjera që merren më këto tema”, tha Selmonaj.

Nga dy proceset e certifikimit, KQZ-ja ka certifikuar 27 subjekte politike me gjithsej 1 mijë e 232 kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.