Tre ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës janë liruar nga akuzat për korrupsion lidhur me angazhimin e ekzaminerëve dhe dallavere me testin me shkrim për patentë shoferë. Trupi gjykues ka konstatuar se asnjë provë nuk e vërteton fajësinë e të akuzuarve
Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar të mërkurën nga akuzat për korrupsion zyrtar ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, ish-drejtorin e Departamentit të automjeteve, Kadri Krasniqi, dhe këshilltarin e ish-ministrit Pal Lekaj, Pjetër Ndoun.
Në bazë të aktakuzës së ngritur më 2020-ën, Shatri dhe Krasniqi akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë angazhimit të 44 ekzaminerëve të provimit për patentë shoferë gjatë viteve 2017-2018, për të cilët prokuroria pretendonte se u morën në punë pa proces rekrutimi dhe u mbajtën në punë me “kontrata mbi vepër”.
E Ndou është akuzuar për ushtrim ndikimi te zyrtarët e ministrisë për t’ua kaluar testin teorik për patentë shoferë gjashtë personave dhe për ushtrim ndikimi lidhur me përzgjedhjen e ekzaminerëve, si dhe ushtrim ndikimi te këta zyrtarë në favor të kompanisë “ISPE VOYAGES” për t’i fituar linjat Gjakovë-Xërxë-Rahovec-Malishevë-Prishtinë, Malishevë-Prishtinë dhe Prishtinë-Sllatinë-Prishtinë.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, arsyetoi vendimin për t’i liruar nga akuza këta ish-zyrtarë.
“Sa për dijeninë dhe opinionin publik (lidhur me dëshmitë që v.j.) janë administruar në këtë çështje penale: janë dëgjuar 19 dëshmitarë, janë administruar 94 prova materiale. Prej asnjërës prej tyre nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprën penal. Prandaj mbi këtë bazë gjykata e mori këtë aktgjykim”, ka thënë Dërmaku.
Në aktakuzë thuhet se hetimin e këtij rasti e kishte nisur Prokuroria Speciale me dyshimet se tani të akuzuarit janë të përfshirë në marrje ryshfeti prej 10 mijë eurosh. Megjithatë, vepra penale “marrja e ryshfetit” nuk është pjesë e aktakuzës.
E, derisa aktakuza flet për dëm të konsiderueshëm ndaj buxhetit të Kosovës, ky dëm nuk është saktësuar numerikisht as në aktakuzë e as përgjatë gjykimit.
Gjykata ka udhëzuar palët për mundësinë e ankesës brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit, pas pranimit të aktgjykimit me shkrim.
Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, është i dënuar për rastin e njohur si 53 milionëshi. Themelorja në Prishtinë e ka dënuar atë, si dhe ish-ministrin Pal Lekaj që tani është deputet, ish-këshilltarin e Lekajt, Eset Berishën, dhe ish-shefin e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Besim Tahiri. Dënimet janë me mbi tre vjet burgim secilin.
Aktgjykimi nuk ka e ka marrë formën e prerë, meqë rasti i 53 milionëshit është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit.