LAJMET E MBRËMJES

Lirohen dy serbët e fundit të arrestuar në Prizren, reagon Qeveria

Prokuroria Themelore në Prizren ka liruar dy të dyshuarit e fundit që janë arrestuar të dielën në Prizren, në rastin e njohur si “pelegrinët”. Pas ndalimit prej 48 orësh, kjo prokurori ka konstatuar se nuk ekziston dyshimi i bazuar që për ta të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit. E kundër këtij vendimi ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tek ka thënë se për zgjatjen e paraburgimit Prokurorisë i janë ofruar prova të mjaftueshme

Janë liruar dy të dyshuarit e fundit të arrestuar të dielën në Prizren e për të cilët ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë.

Prokuroria Themelore në Prizren i ka ndaluar ata për 48 orë e 10 të arrestuarit e tjerë në rastin e njohur si “pelegrinët” i ka liruar menjëherë. 

Në Prokurori bënë të ditur të martës se ndaj tyre nuk ekziston dyshim i bazuar për ta justifikuar kërkesën për paraburgim. 

“Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë. Prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e tjera hetimore, duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektiv”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

E ndaj mosparashtrimit të kërkesës për masë të sigurisë ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tek ka thënë se për këtë ka pasur mjaftueshëm prova nga organet e sigurisë. 

“Në grupin 12 serbëve të arrestuar në Prizren, kishte persona aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Të arrestuarit në Gjakovë e Prizren kishin lidhje të forta edhe me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë. Në Prizren 10 prej 12 u liruan që atë ditë sepse nuk kishte kërkesë për paraburgim, ndërkohë sot qenkan liruar edhe dy. Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm”, ka shkruar ajo në Facebook të martën.

Sipas saj, prokuroria me veprimet e saj po çon dëm kohën dhe angazhimin e policisë. 

“Është vërtet shqetësuese lehtësia e lirimit të këtyre personave dhe hedhja poshtë e aksioneve policore dhe institucioneve të tjera të sigurisë të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe. Po harxhojnë aq shumë resurse e kohë institucionet e sigurisë si dhe po rrezikohen punonjësit e këtyre, e në fund të arrestuarit lirohen?! Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë, forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka shkruar ajo.

Postimin e saj në Facebook e ka shpërndarë edhe Sveçla. Ai të dielën ka thënë se njëri nga ish-të dyshuarit e ka gradën e togerit policor dhe ka lidhje familjare me Nemanja Radivojeviqin, që ishte pjesë e grupit që e kreu sulmin terrorist në Banjskë, e për tjetrin se ka gradë kapiteni të klasës së parë dhe lidhje me ish-gjeneralin e inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq. 

Ai ka ngritur edhe dyshime se synim i tyre ishte shkaktimi i tensioneve ndëretnike a ndërfetare në Kosovë. 

“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira”, ka thënë Sveçla.

E Gjykata Themelore në Gjakovë të hënën ua ka caktuar masën e paraburgimit katër të dyshuarve serbë të arrestuar në këtë komunë, pasi në veturën me të cilën udhëtonin kanë pasur thikë, sëpatë dhe një thikë-sharrë. 

Këtë vendim Gjykata e ka marrë pasi vlerësoi se të dyshuarit për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” mund të arratisen dhe ta përsërisin veprën penale për të cilën dyshohen. 

Në aksionin e organeve shtetërore, të sigurisë e të inteligjencës, në bashkëpunim me prokuroritë, u arrestuan 16 persona të ndarë në katër vetura me targa të Serbisë, në rastin që publikisht njihet si “pelegrinët”.