LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja nderon Wesley Clarkun me dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ftoi Clarkun që ta ndihmojë Kosovën për t’i forcuar lidhjet me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fjalë të mira për LDK-në pati edhe Clark. Ai e çmoi lart rolin e Lidhjes Demokratike në atë kohë që ndërhyrja e NATO-s në Kosovë të kishte sukses. Po ashtu, lëvdata pati edhe për ish-presidentin Rugova

Lidhja Demokratike e ka nderuar të dielën ish-gjeneralin e NATO-s, Wesley Clark.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ia ndau Clarkut dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” dhe e falënderoi për kontributin për liri të Kosovës.

“Gjatë kohëve më të errëta të përpjekjeve tona për liri, vendosmëria juaj e palëkundur dhe veprimet vendimtare prodhuan shpresë dhe fuqi për një komb të etur për liri. Udhëheqja e juaj gjatë intervenimit të NATO-s ishte një pikë kthese, që jo vetëm ndryshoi rrjedhën tonë të historisë, por gjithashtu garantoi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta të njerëzve tanë”, është shprehur Abdixhku.

Abdixhiku e ftoi atë që ta ndihmojë Kosovën për t’i forcuar lidhjet me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Trashëgimia juaj do të vazhdojë të na frymëzojë teksa ne përpiqemi të përmbushim vizionin e një Kosove paqësore dhe të begatë, të integruar plotësisht në komunitetin euroatlantik. Dhe këtu jua drejtoj thirrjen tonë për të na ndihmuar t’i forcojmë akoma këto lidhje; lidhjet ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara; sepse ato mbesin orientime tona autentike”, ka thënë Abdixhiku.

Fjalë të mira për LDK-në pati edhe Clark. Ai e çmoi lart rolin e Lidhjes Demokratike në atë kohë që ndërhyrja e NATO-s në Kosovë të kishte sukses.

“Njerëzit shpesh më pyesin ku është dallimi, NATO ndërhyri në Kosovë, por ne shkuam edhe në Libi, edhe në Irak, e çka për Afganistanin?, pse është Kosova ajo që ka qenë e suksesshme. Në Libi ka ende luftë, Iraku është Irak, Afganistani e dini të gjithë. Është një gjë shumë e thjeshtë, LDK-ja”, ka deklaruar Clark.

Lëvdata pati edhe për ish-presidentin Rugova.

“Sigurisht që e njihnim Rugovën, e njihnim kur udhëhiqte, e njihnim kur ishte në burg, e njihnim kur fliste zëshëm, e njihnim kur urtësisht i kursente fjalët dhe ishte një lider shumë efektiv. Në kohën kur populli i Kosovës po përjetonte kohët e vështira të viteve  ‘90, ai ishte një inspirim”, ka thënë Clark.

Gjenerali Wesley Clark udhëhoqi sulmin e NATO-s ndaj caqeve ushtarake në ish-Jugosllavi, për t’iu dhënë fund masakrave serbe ndaj popullsisë civile shqiptare.

Fushata e bombardimeve nisi më 24 mars 1999 dhe zgjati për 78 ditë.