“Festo me zemër, jo me armë” është motoja e fushatës ndërgjegjësuese kundër përdorimit të armëve gjatë festave.
Kjo fushatë e lansuar nga Ministria e Punëve të Brendshme ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kolektive dhe parandalimit të përdorimit të armëve në mjedise joligjore.
Gjatë prezantimit të saj, zëvendësministri Blerim Gashani, ka thënë se çdo vit konfiskohet një sasi e konsiderueshme e armëve, derisa avancimi i nivelit të sigurisë në vend vazhdon të mbetet mision i këtij dikasteri.
E ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka lavdëruar Policinë e Kosovës për punën e saj, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve gjatë festave.
“Statistikat tregojnë që armët pa leje, që janë në përdorim të pa ligjshëm nga qytetarët janë shkaktarë i pjesës dërmuese të vrasjeve. Edhe pse zotërimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe armeve të ftohta është në rënie çdo vit kjo dukuri ende mbete kërcënim për rendin dhe sigurinë publike në Kosovë por edhe shqetësim për institucionet e sigurisë”, ka deklaruar Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
“Arma nuk është mjet për festë, nuk simbolizon gëzim, sjell vetëm hidhërim. Policia e Kosovës është një nga policitë më të suksesshme dhe profesionale, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në kontinentin evropian, prandaj qytetarët kanë besim të plotë në të. Akti i fundit i agresionit në Banjskë, shtimi i sigurisë në veri, luftimi i krimit dhe korrupsionit në gjithë territorin e Kosovës, si dhe lufta e suksesshme kundër narkotikëve dhe bandave kriminale, janë dëshmi të qarta të përkushtimit dhe profesionalizimit të policisë tonë”, ka shtuar Gërvalla.
E përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Annemarie Douwes, ka ritheksuar mbështetjen e BE-së në këtë aspekt.
“Është më rëndësi shumë të madhe derisa Policia e Kosovës po punon në mënyrë të palodhur për luftimin e këtyre sfidave ne nuk mund të varemi vetëm në organet ligj zbatuese, prandaj është me rëndësi shumë të madhe të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve për këtë dukuri negative”, ka shtuar ajo.
Përkushtimin e Policisë së Kosovës në ndalimin e përdorimit të armëve në ambiente joligjore e ka treguar edhe përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi.
“Policia e Kosovës ka punuar shumë për të mbrojtur shtetasit e saj dhe për të ofruar siguri, duke konfiskuar armë ilegale, ku brenda vitit konfiskojmë 1200 deri në 1500 armë e mbi 20 mijë municion të ndryshëm... Statistikat e rasteve të përdorimit të armëve nëpër ahengje për vitin 2022 dhe 2023, vërehet se në vitin 2023 kemi më pak raste, në vitin 2022 kemi pasur 155 armë të sekuestruara vetëm në ahengje”, u shpreh ai.
Sipas tij, brenda vitit arrijnë të konfiskojnë mbi 1500 armë ilegale e mbi 20 mijë municione të ndryshme.