Nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike, Ministria e Brendshme ka lansuar projektin e byzylykëve elektronikë për monitorimin e lëvizjeve të personave të dyshuar dhe të dhunuesve. Udhëheqës shtetërorë e kualifikuan projektin si me rëndësi të madhe për parandalimin e rasteve të reja të dhunës në familje
Vendosja e byzylykut elektronik në duart apo këmbët e personave të dyshuar apo të dhunuesve do ta mundësojë monitorimin e lëvizjeve të tyre për ta shmangur afrimin te viktimat.
Projekti i hallkave elektronike është lansuar të martën, nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike që e parashihte përdorimin e tyre.
Kontrata mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe operatorit ekonomik për zbatim të këtij ligji është nënshkruar në korrik të këtij viti.
Në lansimin e këtij projekti, kryeministri Albin Kurti tha se mbikëqyrja elektronike do të kontribuojë në reduktimin e rasteve të dhunës në familje.
“Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mosrespektimi i urdhrave mbrojtës. E tash, meqenëse ka persona të tillë që do të vazhdojnë me mosrespektim të urdhrave mbrojtës, ne kemi bërë një hap gjigant në mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave që na i kanë mbushur lajmet në këto vitet e fundit me rastet e dhunës në familje”, ka thënë kryeministri Kurti. “Hallkat, byzylykët do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër, edhe gjurmuesit, të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi, menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal edhe ai qendror i Policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kualifikoi projektin si një prej më të rëndësishmëve për sa i përket mbrojtjes së jetës së vajzave e grave.
“Ne në vazhdimësi kemi thënë se do të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Kosovë. Kemi ndërmarrë shumë veprime. Kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë. Dhuna në familje nuk është çështje private, është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast presim veprime serioze sidomos nga Prokuroria dhe Gjykata. Dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregullt nga Prokuroria i inkurajon dhunuesit në mënyrë që shteti, pra me këto veprime, institucionet e drejtësisë, dhunuesit po i shndërrojnë në vrasës”, ka theksuar ministrja Haxhiu.
E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se sistemi do të zbatohet edhe për parandalimin e veprave të tjera penale.
“Ky është edhe një sukses i Policisë, por edhe i gjithë sistemit të drejtësisë drejt asaj që të parandalohet përsëritja e dhunës ndaj vajzave dhe grave, por jo vetëm. Ky sistem, patjetër që do të shfrytëzohet edhe në raste të tjera në parandalim të veprave të ndryshme penale, por roli primar është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave. Zbatimi efikas i sistemit do ta sjellë një ndryshim jashtëzakonisht të madh në parandalimin e kësaj vepre të rëndë”, ka thënë ministri Sveçla.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, theksoi se funksionalizimi i sistemit të byzylykëve gjurmues ka qenë obligim i Policisë, bazuar në Ligjin mbi Mbikëqyrjen Elektronike.
“E kjo ka qenë që të kemi sistemin funksional për mbikëqyrje elektronike të rasteve të dhunës në familje. Qeveria ka ndarë një buxhet të veçantë për këtë projekt dhe Policia ka krijuar një ekip për të negociuar dhe për të hartuar projektin dhe kemi arritur që projektin ta kompletojmë”, ka thënë drejtori Hoxha.
Ligji ka hyrë në fuqi në korrikun e vitit 2015, teksa fondet prej 600 mijë eurosh për blerjen e byzylykëve janë ndarë në prill të vitit të shkuar.