Të enjten në Bruksel pritet që të zhvillohet takimi i radhës drejt gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e dinarit. E derisa lehtësuesi i bisedimeve nga ky takim pret zgjidhje, në Serbi thonë se Kosova është duke u shpërblyer në vend se të sanksionohej për sabotim të procesit të normalizimit.
Bashkimi Evropian pret që të enjten të tejkalohen dallimet mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me dinarin.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tek shpalosi punën e bërë gjatë javës së shkuar, paralajmëroi takimin që do të mbahet mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, e atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
“Në përgjithësi, takimi ka qenë i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë t’i shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund u konkludua se do të duhej edhe një tjetër takim. Palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të kapërcejmë hendekun e mbetur”, tha Lajçak.
Në Bruksel javën e shkuar Bislimi e Petkoviqi prezantuan propozimet e tyre për, siç u tha, gjetjen e një zgjidhjeje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb.
Por kritika ndaj faktorit ndërkombëtar e qeverisjes në Prishtinë, të hënën, patën zyrtarë në Serbi.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daciq, e kryenegociatori Petar Petkoviq thanë se Kosova është duke u përkrahur nga ndërkombëtarët për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Petkoviq tha se Kosova është duke u shpërblyer, në vend se të sanksionohej për, siç tha, sabotim të procesit të normalizimit.
“Për sabotimin e procesit të normalizimit, Prishtina jo vetëm që nuk u sanksionua në mënyrë adekuate, por u shpërblye me hapjen e perspektivave për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare. Ne e kuptuam në mënyrë të përkryer politikën perëndimore të standardeve të dyfishta!” – tha Petkoviq.
E Daçiq tha se Serbia është në presion të madh nga vendet perëndimore, të cilat shtyjnë përpara anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Vendi ynë është në një situatë të rëndë. Shtytja politike e Kosovës në organizatat ndërkombëtare vazhdon dhe për këtë përdoren mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Daçiq.
Të mërkurën e javës së shkuar Komisioni për Çështje Politike ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, i cili rekomandon Këshillin e Evropës ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.
Deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, Kosova duhet të kalojë me sukses edhe dy procese të tjera votimi. Njëri në Asamblenë Parlamentare që mblidhet këtë muaj, dhe tjetri në Këshillin e Ministrave që do të takohen në maj.