Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një vizitë në Prishtinë për ta përgatitur takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve në Bruksel. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka përsëritur kërkesën për barazi në dialog
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një vizitë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, dhe në Prishtinë, për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak të dielën në Facebook.
Forumi i Bledit, ku Lajçak do të marrë pjesë, mbahet më 2 dhe 3 shtator.
Lajçak, po ashtu, foli për qëndrimin e tij në Pragë, ku mori pjesë në konferencën e sigurisë “Globsec”.
Ai ka thënë se një prej momenteve të rëndësishme ka qenë takimi me zëvendësndihmës-sekretarin e ri të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanov.
Po ashtu, ka veçuar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapat e radhës në dialog.
Emisari për dialogun ka thënë se shkaku i zgjedhjeve që pritet të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm në Kosovë, nuk do të ketë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Ia kemi dalë ta bëjmë gjënë më të mirë, që është marrëveshja për rrugën e normalizimit, e cila është miratuar vitin e kaluar në Ohër, por që asnjëherë nuk është zbatuar, por edhe më keq, as që ka filluar të zbatohet. Presidenti Macron ditë më parë tha në Beograd se rruga është shtruar dhe rruga quhet Marrëveshja e Ohrit, por ai që mungon është vullneti politik”, ka thënë ai.
Për dialogun në këtë forum ka folur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka theksuar nevojën për të rikthyer barazinë në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
“Ata që marrin pjesë në bisedime duhet të jenë në një tavolinë të niveluar. Tani për tani, tavolina e dialogut Kosovë-Serbi është e përmbysur”, ka thënë ajo.
Javë më parë Bashkimi Evropian njoftoi se dëshiron që të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
Por autoritetet në Kosovë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se për çështjen e hapjes së Urës mbi Ibër palët veçse kanë arritur marrëveshje vite më parë.