25 vjet

Kuvendi shënon Ditën e Çlirimit, kërkohet anëtarësimi i Kosovës në NATO

Përfaqësues institucionesh e akterë politikë ndërkombëtarë morën pjesë në seancën solemne të Kuvendit ku u shënua 25-vjetori i çlirimit të Kosovës. Duke e vlerësuar intervenimin e NATO-s më 1999, krerët politikë kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike.

Një numër i konsiderueshëm i deputetëve munguan në seancën e veçantë për shënimin e Ditës së Çlirimit, në të cilën, nga shtete të ndryshme të botës morën pjesë përfaqësues institucionalë e politikë që patën rol në çlirimin e Kosovës.

Seanca përveç intonimit të himnit shtetëror e atij kombëtar, nisi edhe me një minutë heshtje për të rënët që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.

Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani tha se më 1999 ishte NATO-ja ajo që solli shpresë te qytetarët e Kosovës.

“NATO në vitin 1999 na dha mbështetjen vendimtare për lirinë tonë, andaj sot synojmë dhe meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake, me ushtrinë tonë që është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”, tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca theksoi se 12 qershori do të festohet si fitore mbi padrejtësinë. 
“12 qershorin do ta festojmë përherë si ngadhënjim mbi të keqen, si ditë të fitores së drejtësisë mbi padrejtësinë, të lirisë mbi robërinë, të çlirimit mbi shtypjen dhe të humanizmit mbi fashizmin”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti, me këtë rast tha se duan marrëdhënie të mira fqinjësore. 

“Duan marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane, me njohje reciproke e bashkëpunim të shumanshëm në gjithë rajonin tonë, pa sulme dhe agresione, pa diskriminime e shfrytëzime”.
Në nder të kësaj dite, në seancë ishin ftuar edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

“Ne nuk mund të lejojmë që të vendoset shenja e barazimit në mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë”, tha Begaj.

Për një fjalë rasti kryeparlamentari e ftoi edhe ish-presidentin kroat Stipe Mesiq, të cilit ia vlerësoi kontributin në zhbërjen e Jugosllavisë.

“Po ia jap fjalën atij i cili si president ia shpalli vdekjen Jugosllavisë”, theksoi Konjufca.
Mesiq tha se në rajon ka ende sfida të sigurisë, por theksoi se përgjigjja ndaj tyre është aspirata për anëtarësim në NATO.

“Fatkeqësisht, ka ende kërcënime dhe rreziqe nga të ashtuquajturat projekte megashtetërore. Paqja dhe stabiliteti duhet të jenë aspiratat tona të shenjta që duhet të sigurojnë prosperitetin e të gjithëve. Përgjigjja më e mirë për të gjitha sfidat dhe kërcënimet është perspektiva euroatlantike”, theksoi Mesiq.

Para të pranishmëve ndau një rrëfim personal e emocional edhe nënkryetarja e Kuvendit,  Saranda Bogujevci.

“Para 25 vjetëve isha një vajzë e brishtë. Gjysmë e gjallë me zemër të thyer, sepse nuk e kisha pjesën më të madhe të familjes... Por sot para jush e bashkë me ju, ndihem e privilegjuar e shumë krenare që mund ti shërbej popullit dhe vendit tonë”, deklaroi Bogujevci.

Rëndësinë e Ditës së Çlirimit e rikthyen në kujtesë edhe përfaqësues të partive politike opozitare, të cilët në nderim përmendën edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.