LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi i kthehet punës, opozitarët kritikojnë pushtetin për keqqeverisje

Të enjten do të nisë pjesa e fundit e mandatit për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sesionin vjeshtor të punimeve, ligjvënësit do ta nisin në sallën e rinovuar. Deputetët opozitarë kritikuan mbarëvajtjen e punimeve të deritanishme të kësaj legjislature, si dhe qeverisjen e ekzekutivit, derisa thanë se do të angazhohen për ndryshim të saj në zgjedhjet e 9 shkurtit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen punës të enjten, në seancën e parë të pjesës së fundit të mandatit të tyre.

Ata i pret një varg i gjatë i pikave për shqyrtim e miratim, kryesisht të mbetura nga sesioni i kaluar.
Punimet do të zhvillohen në sallën kryesore të Kuvendit, në të cilën kanë përfunduar rinovimet e nisura në qershor.

Muajt e mbetur para zgjedhjeve të përgjithshme, deputetët opozitarë thanë se do t`i shfrytëzojnë për të shpalosur rëndësinë e ndryshimit të qeverisjes.

Shefat e grupeve parlamentare të PDK-së e LDK-së i konsideruan të shkuara dëm vitet e kaluara nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në cilën do aspekt që e marrim në Kosovë ka ngecje, ka stagnim, qofshim në mirëqenie, në paga, në shëndetësi e arsim e shumë çështje të tjera. Çka nuk është bërë për 3 vite e gjysmë nuk mund të kërkojmë që të bëhen për 3 muaj e gjysmë sa kanë mbet punë të kësaj legjislature dhe gjithë angazhimi jonë gjatë kësaj periudhe do të shkoj pra që vendi t`i japim një qeveri të re”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Kjo legjislaturë, me këtë qeveri mund të konsiderohet si qeverisja më e dobët në historinë e Kosovës, në aspektin e vendimmarrjes, në aspektin e ndërtimit të konsensusit politik dhe në aspektin e përfaqësimit institucional të Kosovës... Do të angazhohemi që ti bindim qytetarët e Kosovës për ato që kanë ndodhur në këto katër vitet e fundit dhe poashtu tu ofrojmë atyre platformën dhe idetë e tona për katër vitet e ardhshme”, tha Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

E në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë definuar temat, në të cilat do të fokusohen në pjesën e mbetur të mandatit.

“AAK-ja  do të mundohet që të adresojë tri çështje që janë shumë të rëndësishme. E para ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara konceptin e Ligjit për pagat ku vlera e pagës mesatare do të jetë 1 mijë euro. Do të shtyjmë përpara miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore. Çështja e tretë është forcimi i ekonomisë së Kosovës”, tha Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së. 
Kritika ndaj qeverisjes së Kurtit, në prag të përfundimit të mandatit, kanë shprehur edhe udhëheqësit e dy partive opozitare.

Sipas Lumir Abdixhikut të LDK-së, në katër vjetët e fundit është bërë lëvizje prapa në ekonomi, derisa për Ramush Haradinajn e AAK-së, kryeministri Kurti ka larguar Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe e vendeve të tjera aleate. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.