LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi dështon për herë të dytë, s’ka koordinim

Ka rezultuar i pasuksesshëm edhe tentimi i dytë i deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës. Përfaqësuesit politikë nuk pajtuan se si të veprojnë tutje pas votimit kundër të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve. Në mungesë të konsensusit, kryesuesi e shtyu sërish seancën konstituive për të shtunën në orën 12:00

Përfaqësuesit politikë të zgjedhur për deputetë kanë dështuar sërish që ta konstituojnë legjislaturën e 9-të të Kuvendit të Kosovës.

Vazhdimi i seancës konstituive, që nisi të martën, u ndërpre pa trajtuar asnjë pikë të rendit të ditës, për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare.

Vazhdimi i serishëm i saj u caktua për të shtunën në orën 12:00.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që në fillim i njoftoi deputetët me letërpërgjigjen e presidentes Vjosa Osmani, të cilën e kishte pyetur për hapat që duhet ndjekur, pas votimit kundër të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve.

“Letra që na ka ardhur ka dhënë sqarime në një aspekt por nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe kërkon nga ne deputetët të gjejmë zgjidhje që të mos e bllokojmë funksionimin e Kuvendit. Për këtë arsye kam nevojë që të thërras kryetarët e partive politike, në një sallë që të konsultohemi që të mos bëjmë ndonjë shkelje procedurale, ligjore apo kushtetuese”, tha ai.

Përfaqësuesit politikë shkuan në takim, por partitë deri tash në opozitë nuk pranuan të diskutojnë dhe e lanë mbledhjen me arsyetimin se kryesuesi nuk ka mandat që t’i thërrasë për konsultime.

“Ai nuk ka një mandat të tillë të zhvillojë konsulta të tilla dhe dolëm prej takimit”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh që në seancën konstituive nuk mund të ketë debat.

Përfaqësuesit e LVV-së thanë se kjo ishte edhe arsyeja pse kryesuesi i ftoi partitë për konsultime jashtë seancës dhe kundërshtimin e partive politike për të marrë pjesë e shohin si të pabazë.

E deputetja Time Kadrijaj tha se AAK-ja nuk u pajtua me hapat që propozoi kryesuesi për të dalë nga situata.

“Nga kryesuesi u kërkua të formohet edhe një komision tjetër ad-hoc gjë që e kundërshtuam për shkak se ka qenë një komision ad-hoc. Komisioni ad-hoc e ka kryer punën e tij dhe me shumicë votash është votuar është sjellë ai raport i Komisionit ad-hoc, është sjellë në Kuvendin e Kosovës. Sot është dashur të vazhdojmë aty ku kemi mbetur. Kaq kanë të drejtë, kaq është dashur të bëhet”, deklaroi Kadrijaj.

“Ne nuk mund të vazhdojmë me betimin e deputetëve meqë kemi vendim të Kuvendit që nuk i ka verifikuar mandatet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë.

Pas kësaj subjektet politike u kthyen në seancë.

Kryesuesi e kumtoi papajtueshmërinë mes grupeve parlamentare, për çka tha se nuk mund të vazhdojë seanca.

“I falënderoj përfaqësuesit e partive që erdhën në konsultim, pati përfaqësues që e braktisën takimin. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve me shpresë që deri atëherë do të ketë pajtueshmëri”, tha Dehari.

Seanca e radhës u caktua në pajtim me Rregulloren, që nuk lejon ndërprerjen e saj më shumë se 48 orë.