LAJMET E MBRËMJES

Kushtetuesja shtyn seancën për Ligjin për Gjuhët në Maqedoninë e Veriut

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e ka shtyrë për në mars shqyrtimin e Ligjit për Gjuhën. Seanca e paraparë për të mërkurën u shty deri në përcaktimin e një seance përgatitore. E kryetari i Kushtetueses bëri të ditur se vendimi për Ligjin pritet të merret më së largu deri në maj.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut nuk është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi ajo mori vendim ta shtyjë seancën e së mërkurës derisa për këtë çështje do të ketë paraprakisht një seancë përgatitore.

Kryetari i Kushtetueses, Darko Kostandinovski, tha se seanca përgatitore do të mbahet në fillim të marsit të ardhshëm, ndërsa vendimi përfundimtar për Ligjin do të merret më së voni deri në maj.

Në këtë seancë pritet që ekspertë, profesorë por edhe parti politike të paraqesin argumentet e tyre lidhur me Ligjin për gjuhët, që parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2

Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, para vendimit të Kushtetueses kërkoi që gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme.

“Duam që të mos bëhet patriotizëm me çështje të ndjeshme dhe të bëhet fushatë me fjalor anti-shqiptar. I lus gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme dhe selektive, pasi nuk i bëjnë mirë demokracisë e as bashkëjetesës. Marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit”, theksoi ai.

Të kënaqur me vendimin për shtyrje të seancës u deklaruan nga koalicioni VLEN e nga VMRO-DPMNE-ja.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore që ta lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Ligji për gjuhët ka mbetur në Kushtetuese tash e pesë vjet, pas disa iniciativave që u parashtruan nga parti politike, shoqata dhe qytetarë.