LAJMET E MBRËMJES

Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është parakusht për KiE

Dërgimi  i draftstatutit të Asociacionit në Kushtetuese nuk është kusht  të ndodhë para votimit në Këshillin e Ministrave për anëtarësim të Kosovës në Këshillit të Evropës thonë në partin në pushtet. Edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, pajtohet më këtë, pasi thekson se vendi i ka plotësuar të gjitha kriteret për Asociacionin.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk është e përcaktuar që dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga ndërkombëtarët, të ndodhë para votimit në Këshillin e Ministrave për anëtarësim të Kosovës në Këshillit të Evropës. 

Kusari-Lila ka thënë se do të ishte mirë që ndërkombëtaret, të cilët theksojnë që dërgimi i draftit në Kushtetuese do të duhej të bëhej para votimit në Këshillin e Ministrave, të insistonin që votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE të ndodhte sa më parë.

“Prandaj si i tillë nuk do duhej të ishte para kusht ose kushtëzim i mëtutjeshëm, Kosova deri më tani ka treguar vullnet seriozitet dhe përpikëri, në zbatim të marrëveshjeve por gjithashtu edhe në ruajte të vlerave demokratike dhe ruajte të paqes dhe sigurisë. Ata të cilët e shkaktojnë këtë janë në anën tjetër të kufirit tonë verior dhe kjo është Serbia, domethënë konfliktet problemet, cenimin e të drejtave të pakicave e bën shteti serb në krye me Aleksandër Vuçiq”, ka thënë ajo.

Por Kusari-Lila ka thënë se Kosova është e gatshme të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura, porse marrëveshjet duhet të jenë të zbatueshme dhe obligueshme për të dyja palët.

Ajo thotë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të të gjithëve pa dallime.

E ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, është optimiste se do të bëhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Pavarësisht trysnisë së aleatëve ndërkombëtarë për nisjen e procedurave për themelimin e Asociacionit, ajo thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Pres që të bëhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Votat për Kosovën kanë ekzistuar që nga koha kur ne kemi qenë në qeveri, por arsyeja që s’ka përparuar procesi është se Rusia ka qenë anëtare dhe pengonte. Por siç e dini Rusia braktisi Këshillin e Evropës dhe u hap dera, ku Serbia s’ka më fuqi. Së fundja merret vendim me shumicë dhe nuk është sikur në BE që me konsensus. Unë pres që të anëtarësohemi. Dua të theksoj se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësim, Kosova i ka plotësuar kriteret dhe mos të bëhen veprime të pamatura...Letra është pas anëtarësimit. Pastaj qeveria ka obligim t’i zbatojë marrëveshjet që i ka arritur në Bruksel. Kurti është shumë popullsitë ka qenë kundër Asociacionit dhe ka ardh në pushtet duke kundërshtuar Asociacionin. Tash çka bëjnë është puna e tyre”, thotë ajo.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të hapë rrugë për drejtësi.

Sipas saj, prioritet i qeverisë mbetet padia për gjenocid kundër Serbisë.

“E kemi në programin qeverisës dhe prioritet edhe padinë për gjenocid dhe kemi pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertët që janë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje nuk mund të jap më shumë informacione. Ndërsa, natyrisht që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës ne na hapen shumë rrugë dhe sigurisht bazuar në këtë do të vlerësojmë edhe veprimet që dalin pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që ta shfrytëzojmë si mekanizëm në kuptim të vendosjes së drejtësisë”, ka deklaruar Haxhiu.

Këshilli i Ministrave pritet të votojë në mesin e majit për pranimin e Kosovës në KiE.