Kryeministri Kurti ka thënë të martën se vizita e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, është dëshmi për kujdesin që Shtetet të Bashkuara kanë në parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë në Kosovë. Por ai ka refuzuar që të flasë lidhur me hapjen e urës qendrore mbi Ibër në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, e cila ishte përmendur nga zyrtarë të ShBA-së si vendim që mund t’i përshkallëzojë tensionet në veri
Dëshmi të përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për sigurinë dhe për parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Kosovën e ka kualifikuar kryeministri Albin Kurti takimin e javës së shkuar me shefin e inteligjencës amerikane, William Burns.
Në paraqitjen e parë për media që pas takimit me Burnsit, Kurti ka refuzuar që të flas të martën për çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e të cilën e pati paralajmërimi para disa javësh.
E takimin me drejtorin e CIA-së e ka kualifikuar të rëndësishëm në funksion të thellimit të bashkëpunimit.
“Takimi ka shkuar shumë mirë. Dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë institucion tejet të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë, para së gjithash përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. E falënderoj William Burnsin për vizitën në vendin tonë dhe kjo është dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe të paqes, stabilitetit, e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti të martën, pas pjesëmarrjes në inaugurimin e renovimit të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Javën e shkuar Burns ka zhvilluar një turne në Ballkanin Perëndimor, duke realizuar vizita fillimisht në Bosnjë-Hercegovinën dhe në Serbi. Qëndrimin më të gjatë e ka pasur në Kosovë, ku krahas kryeministrit Kurti ai e ka takuar edhe presidenten, Vjosa Osmani.
Seksioni në gjuhën serbe i transmetuesit britanik BBC ka raportuar se në takimet që i ka pasur në Serbi, shefi i CIA-s më së shumti ka diskutuar mbi Kosovën.
“Temat me zyrtarët serbë kanë qenë më shumë politike sesa inteligjencë dhe në takime më së shumti është diskutuar për Kosovën, mëson jozyrtarisht BBC-ja”, është theksuar në artikullin e britanikes.
Burnsi ka vizituar Kosovën një ditë pasi që ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti.
Tek ka folur për mungesën e koordinimit rreth çështjes së hapjes së urës në Mitrovicë, Hovenier pati deklaruar se ndryshimi i statusit aktual të saj do t’i rrezikonte pjesëtarët e KFOR-it, përfshirë edhe ata amerikanë. Ai dhe diplomatë tjerë kanë kërkuar nga Qeveria që t’i shmang veprimet e njëanshme sa i përket hapjes së Urës në Mitrovicë.
Mediat kanë raportuar se vizita e shefit të CIA-s në Sarajevë është bërë për shkak të retorikës dhe të veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Por pas vizitës së Burnsit, Dodiku ka thënë se Republika Sërpska nuk e ka kundërshtuar kurrë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Daytonit, ndërsa ka shtuar se shkëputja e entitet “nuk ka qenë asnjëherë politikë e tyre”.
E për sigurinë në Kosovë është diskutuar edhe në takimin midis Komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutas dhe Komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch.
“Sot, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, u takua me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralin Stuart B.
Munsch, në Shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë. Gjeneralmajor Ulutas ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e saj për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, është thënë në njoftimin e lëshuar në “Facebook”.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe ai i KFOR-it kanë pasur takime edhe në Qeverinë e Kosovë. Pasditen e së martës, të dy zyrtarët janë fotografuar nga KOHA tek kanë dalë nga objekti i qeverisë.
Lidhur me paralajmërimet për hapjen e urës, në KFOR kanë deklaruar më herët se nuk do të hezitojnë që të veprojnë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë në veri.
Plani për hapjen e urës, të cilin e ka përmendur kryeministri Kurti gjatë qëndrimi në Shtetet e Bashkuara u është prezantuar përfaqësuesve të BE-së dhe atyre të QUINT-it në takimin e mbajtur më 2 gusht. Shefi i Ekzekutivit ka thënë se është duke u koordinuar me ndërkombëtarët rreth planit për hapjen e urës.
Por KOHA ka raportuar javën e shkuar se nuk ka pasur dakordim rreth planit të prezantuar nga Kurti, i cili është vënë në zbatim me testimet që janë kryer nga një kompani e kontraktuar nga qeveria në urën e Ibrit. Rezultatet preliminare të testimeve kanë konfirmuar se ura është e qarkullueshme edhe për vetura. Por në BE, në QUINT dhe në NATO i kanë kërkuar kryeministrit që në rrethanat aktuale të mos e hapë urën për qarkullimin e automjeteve.