LAJMET E MBRËMJES

Kurti: U abuzua me çmimin e vajit, në stok janë edhe 300 mijë litra

Çmimi i vajit është trefishuar brenda pak ditësh, ani se rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar ka Kosova në stok.

Pas shtrenjtimit, kryeministri Albin Kurti, bashkë me disa ministra, kanë vizituar fabrikën “FLOIL” në Gjilan.

Çmim artificial e abuzues e ka quajtur Kurti, atë prej 3 eurosh e 49 centë për litër.

“3.50 do të mund të ishte rastësi, por 3.49 nuk është e rastësishme kjo përputhje anë e mbanë Kosovës, e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye dhe nevoje për një fryrje të këtillë. Aktualisht çmimi i vajit ushqimor në Kosovë është më i larti në botë. Pra bëhet fjalë për fryrje të çmimeve dhe të cilat bëhen nga faktori njeri dhe jo prej gjendjes objektive në teren. Këto çmime të fryra duhet të ç‘fryhen”, ka thwnw Kurti.

E, pronari i fabrikës Berat Mustafa, tha se shumë më lirë e shet vajin, krahasuar me çmimin me të cilin jepet në markete.

“Diskutuam për furnizimet e mëtutjeshme dhe gjetjen e formës më të mirë për qytetarët tanë që të kenë vaj në tryezat e tyre. Biseduam hapur ia ofruam të gjitha mundësitë dhe bashkëpunimin tonë si kompani, të cilat e kemi dhe do ta kemi me kryeministrin dhe qeverinë. Çmimi që është duke u shitur nga kompania jonë është 1.95 centë për litër pa TVSh, ndërsa kur del në treg ajo bëhet 2.10 centë”, ka pohuar Mustafa.

Në këtë vizitë, Kurti ishte së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, e kryetarin e Gjilanit Alban Hyseni.

Ministrja Hajdari justifikoi mungesën e inspektimeve në markete, që kanë rritur çmimet prej se ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

“Ka mungesë të inspektorëve për disa sektorë, por siç e dini që ne e kemi synimin për rritjen e inspektorëve”, tha Hajdari.

Ukraina, e cila ndodhet nën agresionin rus, zë vendin e parë ne botë për sipërfaqe të mbjella me luledielli, vaj i të cilave është kryesori që përdoret në Kosovë. Krahas shtrenjtimit të vajit, çmimet janë rritur edhe në karburante e produkte esenciale.