Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar të martën në veri. Gjatë ditës ai ka marrë pjesë në vënien e gurit themeltar të nënstacionit policor në Leposaviq, derisa ka vizituar edhe komunat e tjera veriore. Nga vizita ka folur për dialogun e për hapjen e urës. Në kundërshtim të qëndrimit të kryeministrit Kurti në veri dolën disa serbë, të cilët u ndaluan për disa orë nga Policia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka informacione për takimin e radhës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Gjatë vizitës që të martën ua bëri komunave në veri të vendit, kryeministri Kurti ka thënë se nuk e di nëse ai do të mbahet dhe çfarë do të diskutohet.
“Unë kam qenë konstruktiv në bisedat që i kemi pasur, por duhet ta dini se ne kemi një marrëveshje tani. Marrëveshja duhet respektuar, marrëveshja duhet zbatuar, por Beogradi nuk e njeh marrëveshjen që e ka pranuar vetë. Tani e kuptuan se për shkak të ideologjisë serbe ajo marrëveshje nuk ishte e pranueshme”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për Urën e Ibrit, për të cilën ka thënë se nuk është kundër askujt.
Sipas tij, janë në pritje të koordinimeve të vendeve të QUINT-it me KFOR-in.
“Për imazhin ekonomik të shtetit është e rëndësishme që ajo të hapet, për fluksin e kapitalit dhe të mallrave. Ne nuk duam të hapim urën kundër serbëve, përkundrazi. Ne duam që serbët, boshnjakët dhe shqiptarët të mund të lëvizin lirshëm nëpër atë urë”, tha ai.
Gjatë qëndrimit në veri Kurti ka marrë pjesë në gurin themeltar të objektit të ri të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe të nënstacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Leshak të Komunës së Leposaviqit.
Për drekë është ndalur në një restorant të sapohapur në Mitrovicë të Veriut, prania e të cilit është kundërshtuar nga disa serbë.
Ndonëse kryetari i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, është arrestuar gjatë aksionit të tij kundër Kurtit në veri, kryeministri tha se nuk ka vërejtur kundërshti.
"Nuk e kam vërejtur se njerëzit nuk e duan dikë që vjen nga Prishtina, qoftë edhe kryeministri i Kosovës. Populli është paqësor, i gatshëm për liri dhe siguri. Unë jam këtu për mirëqenien e tyre. Funksioni im nuk është të ndahen gjërat këtu në baza kombëtare apo etnike, por të jenë aty për të gjithë qytetarët, pa diskriminim e pa privilegj, sepse sa herë që dikush privilegjohet diskriminohet një tjetër”, tha Kurti.
Arsenijeviqi e bashkëpartiaku i tij, Ivan Orloviq, u liruan pasdite.
Por, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e akuzoi Kurtin se me ndërtimin e nënstacioni policor në Leposaviq po vazhdon me politikën, siç e quajti ai, “të okupimit policor ” të veriut të Kosovës.
Sipas tij, kjo gjë paraqet “kërcënim të drejtpërdrejtë, frikësim dhe provokim ndaj serbëve” në Kosovë.
Petkoviqi ka thënë se qëllimi i Kurtit është që t’i “dëbojë” serbët nga veriu i Kosovës.