LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Të arriturat i kemi të përbashkëta me Osmanin, Konjufcën e Gërvallën

Kryeministri Albin Kurti e ka përmendur koordinimin dhe bashkërendimin me presidenten Vjosa Osmani, tek është pyetur për deklaratat e kësaj të fundit se nuk duhet të luhet bixhoz e as të tallen aleatët perëndimorë. Sipas Kurtit, sfidat përfshirë shtrirjen e ligjshmërisë në veri janë të përbashkëta dhe kësisoj duhet të vazhdohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është përgjigjur deklaratave të presidentes, Vjosa Osmani, e cila në fjalimin e saj vjetor para deputetëve tha se nuk bën të luhet bixhoz as të tallen partnerët ndërkombëtarë. Sipas Kurtit, për të gjitha veprimet që lidhen me politikën e jashtme ka pasur komunikim me presidenten dhe udhëheqësit e tjerë shtetëror. 

“Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim, bashkërendim me presidenten Osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren Gërvalla sa i përket politikes së jashtme. Të arriturat i kemi të përbashkëta dhe kësisoj duhet të vazhdohet. Të gjitha vështirësitë, sfidat nuk ka të tilla që nuk i tejkalojmë. Besoj që kurrë nuk ka qenë veriu më i sigurt se tani”, ka thënë ai nga Podujeva të premten ku u vu gurthemeli i tri projekteve.

Në fjalimin vjetor më 21 nëntor, që u bojkotua nga PDK-ja e AAK-ja, Osmani ka kërkuar angazhim për t’i ruajtur aleancat me partnerët. 

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia dhe forcimi i aleancave është i paçmueshëm. Dobësimi i aleancave është gabimi strategjik. Aleanca me ata që na ndihmuan ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj që forca më e madhe e jonë qëndron te partneritetet. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me to e cenon vetëmbrojtjen e Republikës sonë. Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet, as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për t’i ruajtur aleancat me partnerët”, pati thënë ajo. 

Osmani ka folur edhe për deklaratat e saj mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke thënë se ka kërkuar që drafti i Asociacionit të diskutohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  në mënyrë që kjo mos t’u lihet në dorë njerëzve që vijnë nga shtete mosnjohëse e nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës.