LAJMET E MBRËMJES

Kurti s’tregon nëse do t’i përgjigjet Prokurorisë për të dëshmuar

Prokuroria Speciale nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri Albin Kurti dhe as Kurti nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet ftesës. E, avokati i njërit nga të akuzuarit për keqpërdorim të rezervave shtetërore ka vënë në pikëpyetje bazën ligjore të ftesës eventuale për kryeministrin në lidhje me këtë rast

Kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar të enjten nëse do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në një rast që lidhet me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pasi mori pjesë në lansimin e “Projektit për forcim të qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përkitazi me këtë çështje.

“Jam me nxitim njëherë sot”, ka thënë shkurt Kurti.

As në Qeveri nuk iu përgjigjen pyetjes së njëjtë.

Ndërkaq Prokuroria që nga e mërkura nuk ka saktësuar rastin për të cilin kryeministri është ftuar të dëshmojë.

Por, bazuar në informacione jozyrtare, kryeministri Kurti është ftuar si dëshmitar në rastin për keqpërdorim të rezervës shtetërore.

Mahmut Halimi, avokat i Ridvan Muharremit, i akuzuar në këtë rast, nuk e ka konfirmuar këtë.

Ai ka vënë në pikëpyetje bazën ligjore për ftesën eventuale të kryeministrit Kurti në këtë rast, pas vendimit të Apelit për të liruar nga paraburgimi të akuzuarin që e mbron.

“Po më çudit kur gjykata e instancës më të lartë konstaton se nuk ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepër penale, nuk është ofruar nga prokuroria prova për dyshimin e bazuar, qysh do me vazhdu procedurën”, ka thënë avokati Halimi.

E, avokati Arbër Jashari ka thënë se përgjigjja pozitive e Kurtit në ftesën e prokurorisë, përveç obligim ligjor, është edhe në interes të shtetit, për ta zbardhur një rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Se a ka kryeministri besim në Prokurorinë, ajo është çështje tjetër, por për t’iu përgjigjur është dashur që t’i përgjigjet. Lëre më që ka pastaj pasoja ligjore nëse nuk i përgjigjet dhe nuk është mirë që të përballet ose të japë shembuj për mosrespektim të ligjit”, tha ai.

Shumë zyrtarë qeveritarë dhe eksponentë të Vetëvendosjes e kanë cilësuar të motivuar politikisht ftesën që prokuroria ia ka adresuar kryeministrit Kurti, meqë ajo është bërë në prag të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Avokati Jashari nuk beson që ftesa është bërë me këtë qëllim 

“Tash mënyra se kur ka ardhur dhe qysh ka ardhur kjo ftesë unë them se prokuroria e ka agjendën e vet dhe agjenda e prokurorisë nuk ndërlidhet me çështjet politike. Ajo determinohet nga faktorë të tjerë, jo nga faktorët politikë, por determinohet nga se sa prokurori ka arritur ta zhvillojë atë çështje, se si ka arritur të vijë te informatat e caktuara dhe kur e ka vlerësuar që kryeministri është i rëndësishëm për këtë procedurë penale”, ka thënë Jashari. “Gjithmonë mund të thuhet pse tash, por thjesht nuk mundoj që ka me pasë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, as nuk mendoj që është bërë për punë me idenë që të ketë ndikim në fushatë ose në rezultatin e zgjedhjeve”.

Ftesa është publikuar të mërkurën nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ajo mban datën 10 dhjetor, derisa ftesa i është bërë për të hënën, më 16 dhjetor, duke filluar nga ora 9:30.