LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Sistemi i drejtësisë duhet të bëjë më shumë për ndjekjen e krimeve të luftës

Kaçaniku të mërkurën i ka përkujtuar martirët dhe dëshmorët e rënë 26 vjet më parë në betejat te Lagjja e Re dhe në Rakoc të kësaj komune. Në homazhe ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka theksuar se të rënët e Kaçanikut kanë lënë trashëgimi të pashembullt të guximit dhe të dashurisë për atdheun. Por në sjelljen e drejtësisë për viktimat e luftës ai ka thënë se institucionet përgjegjëse nuk kanë punuar sa duhet

Ushtarët dhe martirët e rënë në betejat te Lagjja e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut janë përkujtuar të mërkurën me nderime shtetërore, me rastin e shënimit të 26-vjetorit të të rënies së tyre.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë gjatë homazheve në këtë komunë se të rënët në Kaçanik kanë lënë trashëgimi të pashembullt të guximit dhe të dashurisë për atdheun, e cila “do të përkujtohet gjithmonë nga secili”.

E në shërbim të drejtësisë për viktimat e gjenocidit serb, Kurti ka thënë se janë ndërmarrë disa hapa, porse nuk është bërë sa duhet nga institucionet e drejtësisë.

“Është bërë më shumë se në të kaluarën, por kjo është ende pak, sa shumë që duhet bërë. Prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, pavarësisht kushteve të përmirësuara, pagave të larta dhe dyfishimit të hetuesve, nuk janë aktivë as sa munden se lëre më sa nevojiten”, ka theksuar Kurti.

Ai ka përmendur edhe disa nga veprimet e institucioneve në ndjekjen e këtyre krimeve.

“Nga viti 2021, departamenti për hetimin e krimeve të luftës ka rritur numrin e aktakuzave të ngritura. Në vitin 2023 janë ngritur 15 aktakuza për krime lufte e janë akuzuar 68 persona. Gjatë vitit të kaluar, pra 2024, janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte. Prej tyre, gjashtë aktakuza janë ngritur në mungesë për 11 serbë, ndërsa shtatë të tjera ndaj 13 serbëve të arrestuar”, ka thënë Kurti.

Krahas homazheve në Lagjen e Re dhe në Rakoc, Kurti ka vizituar të mërkurën edhe Kompleksin memorial të varrezave të dëshmorëve në Kaçanik.

Ai ka theksuar me këtë rast se përgjegjësia për të vërtetën, për historinë dhe për drejtësinë për të vrarët do të jetë e përhershme si nga institucionet ashtu edhe nga populli.

Më 9 prill të 1999-s, në Kaçanik janë vrarë 32 civilë dhe kanë rënë 28 dëshmorë.