LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Serbia po përgatit sulme të reja në Kosovë

Alarm për rrezikun nga sulme të tjera nga Serbia ka dhënë kryeministri Albin Kurti. Në një konferencë shtypi, ai përmendi një numër lokacionesh rrëze kufirit me Kosovën, ku tha se grupe paramilitare janë duke u stërvitur. Por, shprehu zotimin se planet që sipas tij, janë duke u realizuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar, janë të destinuara të dështojnë

Kryeministri Albin Kurti ka alarmuar të shtunën se pjesëtarë të organizatave terroriste që kanë vepruar në veri, janë duke u trajnuar në disa baza në Serbi, me qëllim që të organizojnë sulm të ri në Kosovë. Por, shprehu zotimin se planet që sipas tij janë duke u realizuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar, janë të destinuara të dështojnë.

Në një konferencë shtypi me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri ka dhënë detaje të reja për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe për lokacionet ku grupe serbësh janë duke u trajnuar.

Ai ka theksuar se detyra për sulmin në Banjskë, anëtarëve të grupit paraushtarak u ishte kumtuar një ditë më herët, në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë, ishin të përqendruara në këtë lokacion, ka thënë ai.

“Kjo kompani, e cila është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Aleksandar Grboviq, me pseudonimin ‘Grba’”, ka thënë kryeministri Kurti. “Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq... Gjatë vizitës, ai e kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si ‘njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët’”.

Presidenti i Serbisë nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar në Kurtin, të cilët sipas tij po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe.

“Ai akuzonte për sulm, sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi më 24 shtator”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka rikujtuar se pas sulmit, njeriu që pranoi organizimin e tij, Millan Radoiçiq, u lirua nga gjykata serbe, në një kohë rekorde.

“Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb – BIA. Ambientet e firmës ‘Jablanovica’ në Rashkë, ngjashëm me ato të ‘Novi Pazar Put’, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij”, ka thënë kryeministri Kurti. “Por, realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist ‘Mbrojtja Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës, e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj”.

Kryeministri ka folur edhe për “Qendrën për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe për Hotelin “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, e për të cilat ka thënë se janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq.

Ka folur edhe për grupe tjera, për të cilët ka thënë se janë duke u trajnuar nga ushtarakë serbë në pension.

“Një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin ‘Zimovnik’, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në ‘Pasuljanke Livade’, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën”, ka theksuar kryeministri Kurti. “Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë”.

Sipas kryeministrit, gjatë muajit nëntor ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por, sipas tij, këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të zgjedhjeve në Serbi.

Ka thënë se një sulm ka dështuar.

“Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovë, kemi marrë vesh se ka ndryshuar, pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne”, ka thënë ai.

Kryeministri ka folur edhe për poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, i cili gjendet afër Sijenicës në rajonin e Sanxhakut. Sipas tij, aty kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarëve të “Mbrojtja Civile”, të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin terrorist në Banjskë. Kryeministri ka thënë se këta vlerësohen si personat më të besueshëm të Radoiçiqit dhe të shtetit serb.

“Ky grup, kishte planifikuar sulme ndaj policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, në lokacione kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, ka thënë kryeministri Kurti. “Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga veriu, janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur Goç, një bjeshkë afër Kralevës, ku është e vendosur njëra ndër bazat më të mëdha të xhandarmërisë serbe në rajon”.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se ka pjesëtarë të grupeve terroriste të armatosur e të uniformuar me veshjet e njëjta që i kanë pasur gjatë sulmit në Banjskë, të cilët qëndrojnë afër lokacionit “Banja e Novi Pazarit”, rreth 10 kilometra në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe që patrullojnë hapur në zonat përreth. Ka treguar se ata posedojnë armë, përfshirë antitank, motorë me katër rrota tërheqëse dhe mjete të tjera transportuese.

Krahas kësaj, ka thënë se një arsenal armësh fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit, rreth 25 kilometra distancë nga pika kufitare në Jarinje.

Kryeministri Kurti ka akuzuar Serbinë se qëndron pas kësaj ndërmarrjeje.

“Tashmë është e qartë se asnjë plan apo sulm, nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilat janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë, sipas interesave e planeve të tyre e mbase edhe të Rusisë”, ka thënë kryeministri. “Planet për sulme, synojnë destabilizimin e situatës. Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të afërt me faktorët relevant ndërkombëtar, me partnerët e aleatët tanë, po angazhohen intensivisht për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”.

E ministri Xhelal Sveçla, ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë organizimin e Serbisë për të realizuar sulmin në Banjskë e edhe për organizimin e grupeve të armatosura pas sulmit. Sipas tij, të dhënat janë ndarë edhe me partnerë ndërkombëtarë.

Ai ka folur edhe për numrin e sulmeve të deritashme.

“Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2021 e deri sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit tonë. Angazhimet hetimore të policisë në zbardhjen e sulmeve dëshmojnë qartë që kemi të bëjmë me të njëjtat struktura ilegale e terroriste që me shtytjen e Serbisë janë angazhuar për destabilizimin e vendit tonë”, ka thënë ministri Sveçla. “Pra, strukturat e njëjta terroriste janë përfshirë në barrikada, ku shumë prej kamionëve të barrikaduar kanë pasur përbrenda eksplozivë dhe mjete tjera shpërthyese në sulmin ndaj Këshillave Komunale Zgjedhore, në sulmin ndaj zyrtarëve policorë, ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në sulmin ndaj mediave, në djegien e veturave e në sulmin terrorist në Banjskë”.

Ndërkaq, kreu i qeverisë ka thënë se sulmet e reja që përgatiten në Serbi, nuk do të jetë e lehtë që të jetësohen Kosovë.

“Të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë”, ka thënë Kurti. “Terrorizmi është sfidë për ne, por nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika jonë e Kosovës”.

KPK: Të mos ndërhyhet në proces

Prishtinë, 23 dhjetor – Kritika e kryeministrit Albin Kurti për mungesë veprimesh nga prokuroria përkitazi me sulmet në veri e edhe atë të 24 shtatorit në Banjskë, ka nxitur reagimin e Këshillit Prokurorial(KPK).

Nëpërmjet një reagimi, KPK-ja i kërkoi kryeministrit që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në punët e institucioneve të pavarura kushtetuese.

Deklaratat e kryeministrit, ky Këshill i ka cilësuar si paraqitje publike të ricikluara që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe që bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta.