Kryeministri Albin Kurti ka thënë se krahas krimeve të kryera nga Serbia, si mjet tjetër ka përdorur edhe përdhunimin. Gjatë prezantimit të studimit “Unë nuk jam fajtor për atë që më ndodhi”, i përpiluar nga organizata “Medica Gjakova”, Kurti ka theksuar se si ekzekutiv janë të përkushtuar për të vendosur drejtësi për të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës
Rrëfimi i një gruaje, e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, është dëgjuar të enjten gjatë prezantimit të studimit “Unë nuk jam fajtor për atë që më ndodhi”, i përpiluar nga organizata “Medica Gjakova”.
Gruaja që gjatë luftës ishte 11-vjeçare, historinë e saj e tregoi përmes një incizimi vetëm me zë, për t’iu mbrojtur identiteti.
“Aty të ulur rreth asaj shkolle, unë me motrat e mia, me nënën, me shumë gra të fshatrave e me shumë kushërira kemi pritur, çka do të bëjnë me ne. Kur filluan të na marrin e të na tërheqin zvarrë, të na fusnin në shkollë, përsëri unë nuk e kam kuptuar se çfarë po ndodhte me ne”, ka rrëfyer kjo grua.
Ajo foli edhe për sfidat, të cilat nuk përfunduan me mbarimin e luftës.
“Kemi jetuar me frikën që po zbulohemi, kjo ka qenë po aq e tmerrshme sa dhunimi”, ka shtuar ajo.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se Serbia ka përdorur dhunën seksuale si mjet lufte.
“Luftërat e viteve ‘90 në ish-Jugosllavi lanë pas shumë shkatërrim e vuajtje. Një nga krimet më tronditëse e çnjerëzore ishte përdorimi i dhunës seksuale si strategji e qëllimshme për të poshtëruar, frikësuar e ndarë familjet e komunitetit”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se si ekzekutiv janë të përkushtuar për të vendosur drejtësi për të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Për herë të parë pas përfundimit të luftës Republika e Kosovës ka strategji për drejtësi transicionale. Zbatimi i kësaj strategjie kërkon mbështetje nga të gjithë ne”, ka shtuar ai.
Në kuadër të prezantimit të këtij studimi u organizuan edhe disa diskutime me panelistë të ndryshëm.
Gjatë luftës në Kosovë besohet se janë përdhunuar 20.000 persona.