“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të ‘Serbisë së Madhe’, që tani e quajnë ‘bota serbe’, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të shtunën se Serbia do të jetë gjithmonë rrezik për vendet që e pengojnë projektin e ashtuquajtur “bota serbe”. Përveç Kosovës, Kurti ka përmendur edhe Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën si vende që “ngacmohen” nga Serbia.
Këto deklarime, sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti i bëri gjatë qëndrimi dyditor në Zvicër ku mori pjesë si folës kryesor në diskutimin e organizuar nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme.
Gjatë diskutimit, kryeministri i Kosovës u shpreh se nuk ka shpresë që Serbia mund të reformohet me elitën autoritare që po udhëheq vendin.
“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të ‘Serbisë së Madhe’, që tani e quajnë ‘bota serbe’, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, ka thënë Kurti.
Të hënën Qeveria e Serbisë e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratoi projektligjin i cili parasheh ndjekjen penale të atyre që, sipas Beogradit, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë.
Këtë veprim të Serbisë ndërkombëtarët e kanë cilësuar si shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e vendimeve të marra.
Por, autoritetet e shtetit që mban lidhje të forta me Rusinë, shprehën qëndrimin të premten se kërkesat e Perëndimit nuk do të merren parasysh.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, vendimet synojnë përmirësimin e jetesës së serbëve.
“Legjislacioni në fjalë është në të vërtetë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë shoqërore të popullit serb në Kosovë, duke qenë në linjë me përkushtimin tonë më të gjerë për stabilitet në rajon. Edhe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, përmes së cilës BE-ja mori rolin e ndërmjetësuesit në dialog, thuhet se dialogu duhet të ketë synim përmirësimin e jetës së njerëzve”, është arsyetimi i kësaj ministrie për masat ndaj Kosovës.
Pas reagimit të Kosovës, SHBA-së dhe BE-së, të premten ka reaguar edhe Gjermania. Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit më me ndikim në BE, ka konstatuar se “Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin mbi veprat penale shkel qartë obligimet e saj nga dialogu”.
Vendimet e Qeverisë së Serbisë janë paralajmëruar në shtator nga presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq. Por, në atë kohë ndërkombëtarët nuk patën reaguar.
E, në fjalën e tij në Zvicërr, kryeministri Kurti ka përmendur ndikimin e zgjerimit ekonomik dhe politik të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Ai ka theksuar se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore që të mbesin të ankoruar në vlerat e Bashkimit Evropian.
“Unë e parashoh një Evropë ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht si dhe në aspektin shoqëror. Një Evropë mjaftueshëm e fortë për t’i rezistuar presioneve të jashtme, në mbrojtje të të gjithë qytetarëve të saj. Një Evropë ku të rinjtë tanë shohin një të ardhme në të cilën mund të besojnë dhe ku mund të përmbushin ëndrrat e tyre. Vitet në vijim do të jenë vendimtare në përcaktimin e ritmit të integrimit në BE”, është cituar kryeministri, në njoftimin e Qeverisë.
Ai ka bërë thirrje që Zvicra të vazhdojë të mbështesë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunime multilaterale, “që për shtete si ne janë esenciale për të arritur qëllimet ekonomike dhe të sigurisë”.
Kryeministri gjithashtu shprehu falënderimin ndaj gjithë atyre që kanë avokuar dhe vazhdojnë të avokojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata në të cilat nuk është ende anëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO.