LAJMET E MBRËMJES

Kurti pret që në takimin me Vuçiqin të shprehen ide se si të ecet përpara me dialogun

Një ditë para përballjes me presidentin e Serbisë, kryeministri Albin Kurti tha se takimet në Bruksel do të jenë në funksion të rikapitullimit të procesit trevjeçar e edhe të prezantimit të ideve se si mund të ecet përpara. Ai i bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së, që t’ia heqin masat Kosovës, ashtu siç ka rekomanduar Josep Borrell.

Kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur pritje të mëdha nga takimi i parë pas nëntë muajsh që do ta ketë të mërkurën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq.

Por, ai theksoi se në takime me ndërmjetësit evropianë, e edhe me Vuçiqin, do të shprehen edhe ide për rrugën përpara.

“Besoj që përveç të tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilaterial do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, ka deklaruar Kurti.

Sipas Kurtit, zgjidhja evropiane për fqinjësi të mirë me Serbinë, është marrëveshja e arritur vitin e shkuar në Bruksel dhe aneksi i saj i dakorduar në Ohër.

“E cila nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim kemi shkelja sistematike të Marrëveshjes nga Serbia, e kjo ka kulmuar me letrën e Bërnabiq nga 13 dhjetori i viti të kaluar, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike, e prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra nga mos respektimi nga shkelja e marrëveshjes bazike vijnë problemet në raport me Serbinë”, është shprehur Kurti.

Një ditë para takimit, kryeministri u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të marrin për bazë rekomandimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilav u vendosën pas tensioneve në veri.

“Nga ana e Kosovës gjithçka është kryer, zbatuar për normalizim, për deeskalim e prandaj e kemi atë sugjerim të zëvendëspresidentit Josep Borrellit të cilin unë shpresoj e uroj që vendet anëtare të cilët në një farë mënyre e kanë shef të Politikës së përbashkët të Bashkimit Evropian të sigurisë dhe asaj të jashtme ta dëgjojnë dhe ta respektojnë me sinqeritetin më të lartë”, ka deklaruar Kurti.

Para takimit me presidentin Vuçiq, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

Takimi i fundit i nivelit të lartë Kosovë-Serbi është zhvilluar në shtator të vitit të shkuar.