LAJMET E MBRËMJES

Kurti pret marrëdhënie të mira bilaterale me Shtetet e Bashkuara

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pret marrëdhënia të mira bilaterale me Shtetet e Bashkuara, tek ka dhënë vlerësim pozitive për marrëveshjen e para 5 vjetëve të ndërmjetësuar nga Donald Trump, i cili u rikthye në krye të Shtëpisë së Bardhë. E zëvendësi i tij, Besnik Bislimi tha nga Emisari i ri i BE-së pret qasje të balancuar ndaj palëve dhe negociata si parakusht kyç për një proces të suksesshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve

Qasje ndryshe nga emisari i ri në dialogun e Brukselit dhe vlerësime pozitive për Marrëveshjen e Washingtonit, kanë proklamuar udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës. 

Pas rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Albin Kurti për të përditshmen spanjolle “El Mundo” ka komentuar marrëveshjen e arritur mandatin e parë të Trumpit, më 4 shtator 2020. 

“Kosova mban një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE dhe NATO. Gjatë mandatit (të parë v.j.) të Trumpit, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin prioritizuar për të promovuar stabilitet, ndërsa administrata e Bidenit forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Ne punojmë ngushtë me Washingtonin”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për mosnjohjen e Kosovës nga Spanja, duke thënë ka vende të tjera brenda BE-së që kanë lidhje më të forta me Serbinë sesa Spanja, e megjithatë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. 
“Kjo tregon se njohja e Kosovës nuk kushtëzohet domosdoshmërisht nga lidhjet ekonomike me Serbinë, por nga një vendim sovran i bazuar në parimet e drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Nëse Spanja njeh Kosovën, do të ishte një hap i nënkuptuar drejt stabilitetit brenda Ballkanit. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është në tryezën e negociatave në Bruksel dhe kjo do të ishte një përgjigje perfekte për ata që kërkojnë të dobësojnë integritetin dhe Bashkimin e Evropës”, ka thënë ai. 

Sipas Kurtit, vendet nuk kanë asnjë problem midis tyre që mund të çojë në bllokim të njohjes. 

“Spanja, historikisht, është shënuar nga territore që kanë pretenduar autonomi më të madhe apo edhe pavarësi. Çështja e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me situatën e brendshme politike në Spanjë”, është shprehur ai.

E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka uruar pasuesin e Miroslav Lajçakut, Peter Sorensen, për zyrtarizimin e tij në postin e ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. 

Sipas tij, qasja e balancuar ndaj palëve është parakusht për sukses.

“Urime Peter Sorensen për emërimin si EUSR i ri për procesin e dialogut. I urojmë atij një mandat të suksesshëm si lehtësues, me një qasje të balancuar ndaj palëve dhe negociata si parakusht kyç për një proces të suksesshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social “X”.

Diplomati danez Sorensen do ta marrë detyrën në fillim të muajit shkurt.

Vendet anëtare të BE-së janë pajtuar në takimin e së hënës në nivel të ministrave të jashtëm për emërimin e diplomatit danez Peter Sorensen si të dërguar të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, post në të cilin do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun të cilit më 31 janar i përfundon mandatin gati pesëvjeçar.

Në deklaratën e Këshillit të BE-së, në të cilën njoftohet për emërimin e Sorensenit në këtë postë, thuhet se ai do ta ketë për detyrë avancimin e implementimit të marrëveshjes.

“Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë të lehtësojë dialogun i cili do të kontribuon në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e implementimit të saj të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh”, thuhet në këtë komunikatë.

Në të përmendet edhe karriera e deritashme e Peter Sorensen si diplomat danez me përvojë të gjatë në rajon.     

Ai ka ushtruar disa detyra, qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e ka udhëhequr BE-ja e deri te roli i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Ka qenë edhe shefi i zyrës së BE-së në Shkup si dhe i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi.

Para disa ditësh edhe kryetari i Kuvendit komentoi ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë dhe raportet Kosovë-ShBA. Ai deklaroi se administrata e Bidenit dhe Obamas e kanë vënë Kosovën në disavantazh në raport me Serbinë. Por atij i reagoi ish-emisari për dialogun i SHBA-së, Richard Grenell, tani emisar për “Misione të Posaçme” duke thënë se, se i kaluan katër vjet duke lavdëruar Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat e tij.  

Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. 

Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka emëruar disa personalitete në pozita të ndryshme, por jo edhe një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.