Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë duke u kryer të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët e shtëpisë lidhur me hapjen e Urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Derisa nuk ka dhënë një datë se kur ajo mund të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve, Kurti ka theksuar se aktualisht është duke u trajtuar drafti preliminar për qëndrueshmërinë fizike të Urës, si dhe përgatitjet po bëhen për rregullimin e pamjes përreth saj. Kjo çështje do të jetë temë diskutimi edhe në vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë, të cilat i ka paralajmëruar Kurti për ditët në vijim
Pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë javës së shkuar, kryeministri Albin Kurti ka folur të mërkurën nga mbledhja e Qeverisë për mysafirët e lartë që i ka pritur brenda një periudhe kohore prej pak ditësh.
Kurti ka paralajmëruar se pas qëndrimit në Kosovë të shefit të Agjencisë Qendrore për Inteligjencë (CIA), William Burns, dhe admiralit, Stuart Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, do të ketë edhe vizita të tjera të rëndësishme gjatë ditëve në vijim.
“Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm, kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv, në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe me progresin demokratik dhe ekonomik. Nesër për vizitë vjen z.Thomas Goffus, ndihmës-sekretar i përgjithshëm për operacione i NATO-s, sot vjen delegacioni danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të Jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s”, ka thënë shefi i ekzekutivit.
Sipas Kurtit, në këto takime do të diskutohet edhe mbi hapjen e Urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. E tek ka folur për Urën, ai ka thënë se janë duke u kryer “punët e shtëpisë”.
“Në të gjitha këto takime, natyrisht, diskutohet edhe çështja e hapjes së Urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si, për shembull, trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të Urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e Urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Kurti.
Vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë dhe të NATO-s janë zhvilluar në kohën kur Shtetet e Bashkuara (SHBA), Bashkimi Evropian (BE), por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake në Kosovë – KFOR – e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë për hapjen e Urës në këtë kohë. Diplomatë të huaj e kanë kritikuar Qeverinë për veprime të pakoordinuara, pas paralajmërimit për hapjen e Urës. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë javën e shkuar se shteti i tij është sfiduar në disa mënyra nga Qeveria e Kurtit.
E të mërkurën, Kurti ka theksuar, po ashtu, se gjatë vizitës së tij në SHBA ka bërë thirrje që të shtohet trysnia mbi Serbinë për t’ua dorëzuar autoriteteve në Kosovë, Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Para katër ditësh u mbushën plot 11 muaj nga agresioni i Serbisë ndaj vendit tonë, kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë sulm Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos e dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin e saj, Milan Radojçiq. Edhe gjatë qëndrimit në SHBA, në takimet bilaterale me senatorë e kongresistë amerikanë, në margjina të Konventës së Demokratëve, kërkova që të ketë më shumë trysni nga bota perëndimore e demokratike, për vënie para drejtësisë, kundrejt akteve terroriste e destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës përgjegjës”, ka thënë Kurti.
Aktualisht ndaj Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, janë duke u zhvilluar dy hetime paralele lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë – njëri në Serbi dhe tjetri në Kosovë. Prokuroria Speciale e Kosovës ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe grupit të tij.
Disa javë pas sulmit Radoiçiqi u pati arrestuar në Serbi. Ai është duke u mbrojtur në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.