Kryeministri Albin Kurti, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë dënuar sulmin me granatë në objektin e Komunës në Zveçan. Ata e kualifikuan sulmin si akt kriminal e terrorist, që për qëllim ka frikësimin e qytetarëve
Shprehje të pafuqisë së grupeve kriminale në veri e ka kualifikuar kryeministri Albin Kurti, sulmin me granatë në objektin e Komunës në Zveçan.
Tek e ka dënuar rastin e së enjtes mbrëma, ai ka thënë se ky dhe sulmi i tri ditëve më parë, kur dy granata të tjera u hodhën në oborrin e stacionit policor në Zveçan, janë akte kriminale që e synojnë frikësimin e qytetarëve.
“Besoj që këto janë shprehje edhe të pafuqisë së tyre, ndërkohë që janë akte kriminale e terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë. Mirëpo, tash më në Kosovë nuk mund të ketë as individ, as grup, as strukturë që është më i fuqishëm sesa shteti i pavarur i Kosovës, republika jonë demokratike, e cila ngadhënjen rregullisht me fuqinë e ligjit të drejtë”, ka thënë Kurti.
Sulmin e 28 nëntorit e dënoi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që theksoi se koha e pandëshkueshmërisë dhe e amnistisë për bandat kriminale ka marrë fund.
“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka thënë Sveçla.
E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, theksoi se të tilla sulme nuk do t’i zbehin përpjekjet për të vendosur rend e ligj për të gjithë qytetarët.
“Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim. Sulmet e tilla nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenien për të gjithë qytetarët tanë”, është shprehur ai.
Në sulmin me granatë, krahas dëmeve materiale, nuk ka pasur të lënduar. Në Polici kanë thënë se janë duke punuar në zbardhjen e rastit.