Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kundërshtuar kërkesën e opozitës për të mos shkuar në zyrë pas njoftimit për dorëheqje shkaku i ushtrimit të mandatit të deputetit. Në fjalën e tij para kabinetit qeveritar, Kurti ka rikujtuar se tre ish-kryeministra kanë vepruar ngjashëm, siç është duke vepruar ai
Ish-kryeministrat Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti i ka marrë si shembull kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tek ka arsyetuar vazhdimin e kryerjes së detyrës në Qeveri, edhe pas zgjedhjes deputet.
Qeveria organizoi mbledhje, një ditë pas nisjes së seancës konstituive, e cila u ndërpre shkaku që opozita kërkoi që anëtarët e qeverisë që janë bërë deputetë të dorëhiqen dhe të mos ushtrojnë më funksione ekzekutive.
Kurti arsyetoi nevojën për mbajtjen e mbledhjes.
“Pra, ne kemi funksione të kufizuara por assesi nuk mund të ketë ndalim funksionimi. Shteti nuk mund të ketë vakum qeverisje. Qeveria nuk mund të ketë ndalesë funksionimi. Kemi nga e kaluara shembullin e ish-kryeministrit Thaçi, që ndonëse kishte dhënë betimin e deputetit në korrik të vitit 2014, kishte vazhduar të jetë kryeministër në detyrë deri në dhjetor të atij viti kur u pat votuar qeveria e re”, ka thënë ai.
Krahas kësaj, Kurti ka rikujtuar se ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje në korrik të vitit 2019, dhe ka vazhduar tutje si kryeministër në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë Kurti 1 në shkurt të vitit 2020.
Gjithashtu ka thënë se ish-kryeministri Avdullah Hoti ka mbetur në detyrë deri në formimin e Qeverisë Kurti 2 në mars të vitit 2021, përkundër faktit që qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020.
“Pra, në historikun tonë të formimit të institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK-ja – ndonëse me kuvend të shpërndarë –, një qeveri e udhëhequr nga AAK – ndonëse e dorëhequr –, dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK – ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme – kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje – ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar – na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më pare”, ka thënë Kurti.
Kurti të martën ka njoftuar Kuvendin se efektivisht është i dorëhequr, që nga 23 marsi kur Qeverisë i ka përfunduar mandati i plotë katërvjeçar.
Një njoftim i tillë nuk është pranuar nga partitë opozitare. Por, në hapjen e mbledhjes së qeverisë, Kurti ka thënë se nuk mund të bëjë më shumë se si ka vepruar një ditë më parë.
“Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim, e thënë së buti i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë ka thënë se partia e tij që drejton Qeverinë, është e interesuar që sa më parë të ecet përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë.
“Si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, jemi shumë të interesuar që të ecim përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë, dhe atë sa më parë, menjëherë. Si qeveri në detyrë jemi shumë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm që mos të lejojmë vakum institucional, jo për një ditë, jo për një orë, por as për një minutë të vetëm. Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksionon: prej arrestimit të kriminelëve serbë, te digjitalizimi i arkave fiskale e te publikimi në Shkodër i projektit të hekurudhës Prishtinë-Durrës me 14 tunele, 43 ura, 7 stacione të reja dhe me gjatësi gati 106 kilometra”, ka deklaruar Kurti në hapje të mbledhjes së kabinetit qeveritar.
Por, pas mbledhjes, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, nuk ka treguar nëse Vertëvendosja ka votat për konstituimin e Kuvendit, që bëhet edhe me zgjedhjen e kryeparlamentarit, si dhe për formimin e Qeverisë.
Murati ka mohuar se votat e së martës për raportin verifikues të mandateve prezantojnë ato që kanë si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Procesi i votimit të djeshëm ka pasur të bëjë me një çështje procedurale ku rëndom kanë votuar të gjitha subjektet, të gjithë deputetët. Ajo nuk është kurrfarë vërtetimi apo shpërfaqje se kush sa vota ka”, ka thënë ai.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pak orë pasi ka filluar të martën, pas mosmiratimit të raportit për verifikimin e mandateve.
E, Qeveria në detyrë i ka dalë në ndihmë Telekomit të Kosovës, duke ia miratuar një hua në vlerë prej 10 milionë eurosh. Në paraqitjen e propozimit gjatë mbledhjes të së mërkurës, ministri Murati, tha se mjetet i duhen ndërmarrjes për t’i zhbllokuar llogaritë dhe për t’ua paguar faturat operatorëve ekonomikë.
E këto telashe, me të cilat tha se përballet ndërmarrja, Murati ua faturoi qeverisjeve të mëhershme.
“Ka ende probleme që nga e kaluara e errët. Pra, e abuzimeve dhe keqmenaxhimit shumëvjeçar të ndërmarrjes, që ende paraqesin probleme dhe shkaktojnë herë pas here, sikurse në rastin konkret, probleme me likuiditet, ku ndërmarrja tash e disa muaj ka llogari të bllokuara, për shkak të një rasti përmbarimor nga një kontratë e dëmshme e mëhershm”, ka thënë Murati.
Krahas kësaj, kabineti qeveritar mori vendim edhe për emërimin e bordit të drejtorëve të Ujësjellësit në Prizren, e po ashtu ka miratuar planin e veprimit për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali.
Kabineti qeveritar i dha aprovim edhe themelimit të grupit koordinues e intervenues për mishngrënësit e mëdhenj: ariun e murrmë, rrëqebullin ballkanik e ujkun, e disa vendime për shpronësim të pronave, si në Prizren, Malishevë, Gjilan e Ferizaj.