LAJMET E MBRËMJES

Kurti nuk i shkon në takim Osmanit, presidentja e refuzon Konjufcën

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur takim me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, në kuadër të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Asaj nuk i ka shkuar në takim kryeministri Albin Kurti, ndërsa ka refuzuar që Vetëvendosja të përfaqësohet nga nënkryetari Glauk Konjufca. Në takimin ku mungoi përfaqësuesi i partisë kryesore në pushtet, liderët e subjekteve politike opozitare propozuan që zgjedhjet të organizohen më 26 janar

Kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë pjesë në takimin me kryetarët e partive politike, që e ka ftuar presidentja Vjosa Osmani, me qëllimin për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Në kohën kur u mbajt takimi, kryeministri ishte në drekë me ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Pas takimit në Presidencë, që zgjati më pak se një orë, Osmani tha se nuk ka marrë ndonjë arsyetim nga Kurti për mungesën dhe se ka refuzuar që Vetëvendosja të përfaqësohet nga nënkryetari Glauk Konjufca.

“Siç e dini, të gjitha paritë kanë qenë të ftuara në nivel të kryetarëve të partive dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmëri të plotë që të vijë sot në takim, mirëpo meqenëse të gjitha partitë kanë qenë të informuara që ky takim konsultativ është vetëm për nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai me mirëkuptim e ka zbatuar”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka theksuar se ftesën zyrtare për takimin më 31 korrik ia ka bërë kryeministrit Kurti tek pasi ka marrë konfirmimin se ai është i pajtimit për këtë datë.

“Ne i kemi ftuar të gjitha partitë politike. Ftesa e parë i ka shkuar kryeministrit njëkohësisht kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi ma ka konfirmuar që kjo datë është në rregull për të dhe ftesa kanë shkuar sipas madhësisë politike. Të gjithë e kanë ditur se takimi mbahet më 31 korrik”, ka thënë ajo.
Por, ndryshe thanë në Zyrën e Kryeministrit. 

Zëdhënësi Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KOHËN, tha se kryeministri ka konfirmuar tri javë më parë se do të marrë pjesë, si mysafir, në drekën me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë. 

“Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që Lëvizja Vetëvendosje të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca, gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka thënë zëdhënësi Kryeziu.

Duke mos pranuar të flasë për raportet mes kryeministrit dhe presidentes, kryetari i partisë kryesore opozitare, PDK-së, Memli Krasniqi, tha se mungesa e Kurtit në takim është ofenduese. 
Një muajin maj, Krasniqi ishte i vetmi nga liderët e subjekteve politike që iu përgjigj ftesës së kryeministrit Kurti, për një takim rreth agjendës legjislative. Por, në takim rrodhi dakordimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit.

E, meqë liderët e partive të tjera opozitare nuk shprehën gatishmëri për ta përmbushur kushtin që me shpërndarje të Kuvendit të shkohet në zgjedhje, Krasniqi e Kurti hoqën dorë nga nisma.
Krasniqi tani ka thënë se nga katër datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, e preferon 26 janarin. 

“Unë shpresoj shumë që presidentja Osmani pas takimit të sotëm të mos ketë nevojë për kohë të gjatë për të marrë vendin dhe që të vendosë sa më shpejt për të shpallur datën e zgjedhjeve, cilado qoftë ajo, por megjithatë konsiderojmë që data më e përshtatshme është 26 janar”, ka thënë ai.
Pro kësaj date janë deklaruar edhe liderët e subjekteve tjera opozitare.
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka thënë se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re “që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin properëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare”. 

“Si manifestim i demokracisë, si rikthim te qytetari, si vlerë e shtetit tonë të ri, ato na vijnë në një moment kritik të vendit, të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë. Prandaj dhe përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!”, shkroi në Facebook Abdixhiku pas takimit.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se shpreson “që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 janar”.

Përveç 26 janarit, presidentja Osmani ka si opsion ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve edhe datat 2, 9 dhe 16 shkurt.

Në lidhje me përcaktimin sa i përket datës së zgjedhjeve, Osmani tha se do ta shpallë pasi të shqyrtojë datat përkatëse, qëndrimet e partive politike e elementet e tjera. E këtë tha se do ta bëjë “sa më parë që të jetë e mundur”.

“Sa më herët që qytetarët e dinë se kur do të mbahen zgjedhjet aq më lehtë bëhen planifikimet, planifikimet për votën e mërgatës”, ka thënë Osmani.

Përveç kryeministrit Kurti, në takim nuk morën pjesë as kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, e as ai i Partisë Egjiptiane, Elbert Krasniqi. Qëndrimet e tyre në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve, me shkrim i kanë përcjellë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe ai i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka.