LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Në veri po bëhen investime që s’u bënë për dy dekada

“Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë, pasi të kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin Qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar se sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita të cilat janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekadat pararendëse. Po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, ka thënë ai

Kryeministri Albin Kurti i ka arsyetuar vizitat që i ka realizuar të martën, bashkë me zyrtarë të tjerë të Qeverisë, në komunat veriore të Kosovës që janë të banuara kryesisht me serbë, tek i ka kualifikuar ato si të domosdoshme.

Tek ka folur gjatë një adresimi para nisjes së mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se vizitat në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut nuk janë kundër askujt. 

“Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna  kanë, pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin Qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar se sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita të cilat janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekadat pararendëse. Po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, ka thënë ai.

Kurti të martën ka qëndruar në disa komuna veriore. Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe me atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ai ka vënë gur themelin për ndërtimin e objektit të nënstacionit policor në Leshak, si dhe për dy shtëpi në Cerajë e Bistricë në Komunën e Leposaviqit. Për vizitë ka qëndruar edhe në Mitrovicën e Veriut.

Para kabinetit qeveritar, Kurti të mërkurën ka folur edhe për mbylljen e komunave paralele në veri dhe për hapjen në to të departamenteve të institucioneve kosovare. Për këto objekte, ai ka thënë se kanë funksionuar në hapësira të uzurpuara, si dhe kanë zhvilluar veprimtari ilegale.

“Qeveria jonë nuk po mbyll zyra. Përkundrazi, Qeveria jonë po hap zyra. Nuk po zvogëlon apo kufizon shërbimet, përkundrazi, po i shton ato. Nuk po i largon shërbimet publike prej qytetarëve, përkundrazi, po i ofron tek ata. Kësisoj, duhet të shihen veprimet tona në veri të vendit”, ka theksuar Kurti.

Në objektet e përdorura nga komunat paralele ai ka bërë të ditur se do të hapen degë të njësisë së patentë shoferëve, të qendrës për punë sociale, si dhe të regjistrimit të automjeteve.

Kryeministri Kurti ka akuzuar Serbinë “për mbyllje e kufizim”, duke aluduar në bllokimin për disa orë të pikave kufitare me Kosovën, në fund të javës së shkuar.  

“Grupe personash të maskuar, në prani të policisë së Serbisë, në kufi me Republikën e Kosovës, por në territorin e Serbisë, bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e duke legjitimuar udhëtarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike”, ka theksuar ai.

Sipas tij, institucionet shtetërore kanë arritur që të dështojnë qëllimin e grupeve të angazhuara.