LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë për tërheqjen e bazave nga kufiri me Kosovën

Trysninë e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë e ka kërkuar kryeministri Kurti, teksa në intervistë për mediumin CNN ka theksuar se fqinji verior po e pret mundësinë për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë. Në këtë deklaratë, atij i ka reaguar homologu nga Serbia, Millosh Vuçeviq, i cili qëndrimet e Kurtit i ka kualifikuar si “fantazmagori”

Kryeministri Albin Kurti ka insistuar se Serbia ka tendenca për ta zgjeruar territorin dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë trysni mbi të në funksion të tërheqjes së bazave ushtarake të vendosura përreth kufirit me Kosovën.

Në një intervistë për transmetuesin prestigjioz amerikan CNN, Kurti të mërkurën i ka krahasuar politikat e Serbisë me ato të Rusisë. Ai ka shtuar se Serbia e pret një mundësi për të hyrë në Kosovë dhe se për këtë synim është duke zhvilluar trajnime ushtarake në bazat që i ka pranë kufirit me Kosovën.

“Ka 48 baza operative përreth kufirit të Kosovës, duke pritur për një dritare mundësie. Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila ka 50-150 ushtarë. Nëse flasim nga aspekti politik, Serbia është e ngjashme me Federatën Ruse. Ata nuk njohin de facto dhe de juro, në të vërtetë fqinjët e tyre. Ata u shkaktojnë probleme fqinjëve, sepse ata duan zgjerim”, ka thënë Kurti për CNN.

Në këtë, kryeministrit Kurti i ka reaguar homologu i tij nga Serbia, Millosh Vuçeviq, duke e quajtur deklaratën e tij si një “fantazmagori”.

“Fakti që Kurti me dhjetëra herë po tenton që të krijojë një ‘dramë mediatike’, se e ashtuquajtura Kosovë qenka e rrezikuar, nuk është asgjë më shumë sesa që po i shet broçkulla sponsorëve të tij perëndimorë. As ai nuk është viktimë e askush nuk është i kërcënuar përpos popullit serb në Kosovë dhe Metohi, të cilëve u mohohen të drejtat elementare njerëzore”, ka theksuar Vuçeviq.

Ai ka thënë se bazat ushtarake serbe janë të vendosura në “vijën administrative” afër Kosovës që prej shumë vjetësh dhe se Serbia do të vazhdojë që ta përforcojë ushtrinë e saj. Ai ka shtuar se me këtë, Serbia nuk është duke e shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

Kurti edhe më herët ka ngritur alarmin për bazat, ushtrimet dhe manovrat ushtarake të shtetit fqinj përreth vijës kufitare me Kosovën. 

E të martën, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se Serbia mund ta përsërisë “agresionin terrorist” në Kosovë, po qe se nuk ndëshkohet për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë. Më 24 shtator 2023, në këtë fshat në veri të Kosovës grupe të armatosura serbësh patën sulmuar Policinë, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. 

Për këtë sulm, Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë, porse ajo e ka mohuar këtë. 

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo më e madhja e serbëve në Kosovë. Që atëherë, ai ndodhet i lirë në Serbi.

Kurti e ka kërkuar dorëzimin e tij si kusht për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë me Serbinë, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka pranuar këtë kusht.