Kryeministri Albin Kurti ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e ndërkombëtarëve për sulmin në Banjskë po që institucionet nuk do të kishin të filmuar Milan Radoiçiqin e grupin e tij. Kurti duke ngritur paralele me sulmin e 24 shtatorit, tha se në mungesë të tyre, ndërkombëtarët nuk duan ta fajësojnë Serbinë për sulmin në Varagë, me gjithë informacionet që posedojnë.
Partnerët ndërkombëtarë janë duke dyshuar në informacionet e institucioneve të sigurisë së Kosovës se prapa sulmit në Varagë qëndron Serbia, ka vlerësuar kryeministri Albin Kurti.
Në një intervistë për televizionin publik, Kurti ka thënë se një qëndrim të tillë sikurse për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit, ndërkombëtarët do ta kishin edhe për atë në Banjskë, po të mos ekzistonin pamjet e dronit.
“Por droni ynë e xhiroj Milan Radojciqitn dhe ata të tjerët aty. Kur i xhiruam nuk patën çka me thanë. Kam njëfarë përshtypje që me bo mos me pas na qat dron me datën 24 shtator 2023 ndoshta edhe sot e kësaj dite e kishin thanë valla sdi, sdi kush e ka bo nashta nuk e ka bo Radojciqi”, tha Kurti.
Sipas tij, të gjitha dëshmitë që posedojnë shpien në drejtim të Serbisë e kryeterroristit Milan Radojciq
“Gjithçka shkon në atë drejtim por më duket që partnerët tanë ndërkombëtar nuk po duan ta fajësojnë Serbinë e neve për sherr s`na qëlloj një dron në qato momente përmi kanal”, tha ai.
Një javë më parë, Kurti në një konferencë për media, shpalosi disa nga informacionet e institucioneve të sigurisë e sipas të cilave, përgjegjësi për sulmin në Banjskë planifikoi edhe atë në kanalin e Ibër-Lepencit.
Dyshimet e ngritura nga kryeministri nuk pranuan t`i komentojnë në Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX.
“Hetimet e kryera nga autoritetet e Kosovës janë ende në vazhdim. EULEX-i nuk komenton hetimet dhe procedurat në vazhdim. Siç tha përfaqësuesja e Lartë e BE-së, autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet. Në përputhje me mandatin tonë aktual, ne po monitorojmë nga afër veprimet e kryera nga autoritetet përkatëse", tha EULEX.
Kryeministri Kurti, mes tjerash, tha se informacionet që posedojnë ia kanë përcjellë edhe ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.
Ai para pak ditësh tha se SHBA-ja nuk është duke parë ndonjë provë që e lidh Beogradin me sulmin në Ibër-Lepenc.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se kanali në Ibër-Lepenc është rindërtuar brenda një muaji.