Hetim vendor e ndërkombëtar ka kërkuar kryeministri Albin Kurti në lidhje me rastin e Faton Hajrizit, shtetasit të Kosovës që dyshohet se vrau një polic në Serbi javën e shkuar. Në adresimin e tij, para mbledhjes së Qeverisë, Kurti ftoi qytetarët që të mos e heroizojnë Hajrizin, teksa shtoi se patriot është Afrim Bunjaku e pjesëtarët e tjerë të Policisë që kanë rënë në krye të detyrës
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të mos e heroizojnë Faton Hajrizin, që dyshohet se vrau një polic serb javën e shkuar në Lloznicë.
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën, Kurti tha se për rastin e tij duhet hetim vendor e ndërkombëtar.
“Sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij e raportuar kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar. Ndërkohë i ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Banjskë të Zveçanit. Patriotë janë 23 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka theksuar Kurti.
Shefi i ekzekutivit ndërkohë ka kritikuar institucionet e hetuesisë se edhe 10 muaj nga vrasja e policit Afrim Bunjaku nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj udhëheqësit të grupit që kreu sulm në Banjskë, Milan Radoiçiq, dhe grupit të tij paramilitar.
“Në Serbi, Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj. Por, nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu, për një postim në Facebook. Të rënëve u takon lavdia e përjetshme. Por, mos të harrojmë, mbi të gjallët, e sidomos institucionet, peshon rëndë përgjegjësia për drejtësi e zhvillim, mirëqenie, rend dhe ligj”, ka deklaruar Kurti.
Institucionet e Kosovës kanë konfirmuar dy ditë më parë, se shenjat e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet e Serbisë përkojnë me ato të shtetasit Faton Hajrizi.
Sipas autoriteteve të Serbisë, Hajrizi, javën e kaluar, në tentim të kalimit nëpër Serbi me dokumente të vëllait, Artan Hajrizi, vrau një polic e plagosi një tjetër. Një ditë më vonë, po sipas autoriteteve serbe, ai u lokalizua dhe u vra gjatë operacionit për kapjen e tij.
Hajrizi është arratisur nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik. Në burg ai fillimisht ishte për vrasjen e një ushtari rus në Skenderaj e më pas edhe për një numër tentim vrasjesh e grabitjesh të armatosura.