LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Me gjithë tendencat për zvarritje, Byroja Shtetërore do të bëhet

Pothuajse tre muaj që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Byronë Shtetërore, Qeveria e ka proceduar në Kuvend versionin e ri të projektligjit. Sipas ekzekutivit, në të janë adresuar të gjitha gjetjet e Kushtetueses. Por miratimi i tij pa konsultim publik është konsideruar në kundërshtim me ligjin nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ky projektligj, ka qenë në mesin e disa vendimeve të tjera të miratuara të mërkurën nga kabineti qeveritar

Për herë të dytë, Qeveria i ka dhënë miratim të mërkurën Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pas ndryshimeve që janë bërë në përmbajtjen e tij bazuar në gjetjet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për Byronë Shtetërore u pati kontestuar në Kushtetuese në shkurt të vitit të shkuar nga Partia Demokratike (PDK), vetëm pak ditë pas miratimit të tij në Kuvend. E qershorin e sivjetmë, Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë ligj të pavlefshëm. Në vendim, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të ligjit, porse ka vendosur që, duke e pasur parasysh rëndësinë e neneve, ta shpallë atë “ të pavlefshëm në tërësinë e tij”.

E para miratimit të projektligjit në Qeveri të mërkurën, kryeministri Albin Kurti e ka kualifikuar atë si nismën më të rëndësishme të ekzekutivit teksa ka theksuar që kundër saj ka pasur tendenca.  

“Pavarësisht tendencave për ta zvarritur jetësimin e këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Jetësimi i konceptit të konfiskimit civil, si zotim i yni, përveç që do të ruajë pasurinë publike dhe do të ia kthejë shtetit njëkohësisht atë që është përfituar kundërligjshëm, byroja gjithashtu do të shërbejë edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Hollësitë për ndryshimet e bëra në projektligj i ka shpalosur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, teksa ka thënë se janë adresuar të gjitha gjetjet e Kushtetueses. Ajo ka shtuar se në çështjen e parë në të cilën është intervenuar është ajo e retroaktivitetit të ligjit, përdorimin e të cilit gjykata e ka lejuar në rastet kur është në interes të publikut. 

“Në këtë drejtim, ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e pamundësisë objektive si një element kyç procedural, i cili ofron një mekanizëm mbrojtës për ata të cilët nuk mund të sigurojnë prova për shkak të kalimit të kohës ose të faktorëve të tjerë objektivë”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka thënë po ashtu se janë adresuar edhe vërejtjet që ndërlidhen me qartësinë kohore për konfiskimin e pasurisë. 

“Që nga viti 2008 do të bëhet vlerësimi i pasurisë së zyrtarëve dhe prej momentit kur ata e kanë pranuar detyrën zyrtare dhe pesë vjet pas përfundimit të detyrës zyrtare”, ka thënë ajo derisa ka përmendur edhe ndryshimet e bëra në përbërjen e komisionit mbikëqyrës. “Kemi përfshirë drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë të Inteligjencës Financiare”.

Ministrja Haxhiu e ka kërkuar përkrahjen e të gjithë deputetëve për miratimin e projektligjit, për të cilin ka thënë se nuk ka arsye që të kontestohet sërish. 

“Konsideroj që është e rëndësishme të thuhet që duhet të jemi bashkë në këtë drejtim, por duket që një pjesë e opozitës nuk do që ta luftojë krimin e organizuar dhe të jepet përgjegjësi për atë që ka ndodhur në të kaluarën dhe kurdo që të ndodhë pa asnjë paragjykim”, është shprehur Haxhiu.

Ndaj miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka reaguar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). 

Nëpërmjet një njoftimi, në KDI kanë theksuar se miratimi i projektligjit pa konsultim publik përbën shkelje ligjore dhe tregon për “qasjen e gabuar dhe jo transparente të qeverisë”. 

“Besojmë që transparenca, pjesëmarrja e publikut dhe llogaridhënia në vendimmarrje janë parime thelbësore për të garantuar qeverisje të mirë dhe të hapur dhe mbi të gjitha për të siguruar që projektligjet të bëhen në interes të publikut dhe të jenë më të zbatueshme”, thuhet në reagimin e këtij instituti.

Krahas kësaj, në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë ka marrë miratim edhe Programi Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse. 

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se me këtë program do t’u jepet mundësi të gjithëve që të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes të shtetit, në rast të rreziqeve e kërcënimeve në të ardhmen me qëllimin e ruajtjes së interesave.

“Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të bazohet në 7 shtylla kryesore dhe normalisht synim të përgjithshëm kanë ndërtimin e një qëndrueshmërie kombëtare dhe që janë funksionimi shtetëror në rast të krizave, organizimi shtetëror për mbrojtjen e vendit, mirëmbajtja e funksioneve vitale në rast të krizave, qëndrueshmëria shtetërore, qëndrueshmëria e furnizimeve shtetërore, mbrojtja e hapësirë së informacionit dhe edukimi i të rinjve dhe të rejave për fushën e sigurisë”, ka sqaruar Maqedonci.

Ai ka theksuar se modele të ngjashme aplikohen në vende të ndryshme të botës, veçmas atyre baltike.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe ndarjen e 240 mijë eurove për pajisjen me tekste shkollore të nxënësve shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Është vendosur gjithashtu që t’u ofrohet mbrojtje e përkohshme 15 shtetasve afganë dhe familjarëve të tyre, në total 85 persona.

Sipas ekzekutivit, procesi i mbrojtjes do të realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë verifikimin e tyre për të garantuar sigurinë kombëtare.
E mes vendimeve të tjera, Qeveria ka miratuar edhe koncept-dokumentin për Ndihmë Juridike Falas. Sipas ekzekutivit, ai e trajton qasjen e barabartë në ndihmën juridike falas për të gjithë qytetarët.