LAJMET E MBRËMJES

Kurti i kërkon KQZ-së angazhim të shtuar në përfundimin e procesit të numërimit të votave

Formimin e institucioneve nga partia që ai e drejton e presin qytetarët, ka thënë të mërkurën kryeministri Albin Kurti. Në mbledhjen e ekzekutivit Kurti ka pasur disa kërkesa për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se votat e mërgatës do të jenë përcaktuese në formimin e qeverisë së re nga kryeministri Kurti.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor që të angazhohet më shumë për përfundimin e procesit të numërimit të votave.

Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, Kurti krahas kësaj ka bërë thirrje edhe për kujdes të shtuar në mbrojtjen e votës së secilit votues.

“Sipas njoftimeve të Komisionit Qendror Zgjedhor, më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e 9-të”, ka theksuar Kurti.

Pasditen e së mërkurës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka nisur edhe numërimi i votave nga votimi i zhvilluar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë.

Sipas kryeministrit Kurti, pjesëmarrja e diasporës në procesin zgjedhor ka qenë më e larta ndonjëherë.

“Falënderoj bashkatdhetarët që morën pjesë në këto zgjedhje, qoftë përmes votimit nga jashtë, qoftë duke udhëtuar në Kosovë për të votuar, duke u bërë ashtu edhe siç janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes për vendin tonë”, ka deklaruar Kurti.

E për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nevojë për partnerë të tjerë në mënyrë që të qeverisin edhe për katër vjet shtetin.

“LVV tashmë i ka partnerët e koalicionit. Na duhet që të presim vetëm edhe pak... votat e diasporës janë shumë të rëndësishme dhe besoj që janë përcaktuese që qeveria të formohet dhe drejtohet nga kryeministri Kurti”, ka thënë Haxhiu.

Pa përfshirë votat e mërgatës, ato me kusht e të personave me nevoja të veçanta, Lëvizja Vetëvendosje llogaritet të ketë siguruar 47 ulëse në Kuvend.

Votat e tyre, edhe nëse llogariten ato të 10 deputetëve nga komunitetet joserbe, nuk janë të mjaftueshme për formimin e Qeverisë, për votimin e së cilës nevojiten së paku 61 vota.