LAJMET E MBRËMJES

Kurti fajëson opozitën për sulm institucional, opozita e fajëson atë për shkelje të Kushtetutës

Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka fajësuar partitë opozitare për sulm institucional ndaj Kosovës. E partitë opozitare e akuzuan LVV-në për tentim shkeljeje të Kushtetutës, meqë konsideruan se kryeministri nuk mund të llogaritet si i dorëhequr.

Partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje dhe ato deri tash në opozitë (PDK, LDK e AAK) e kanë akuzuar njëra-tjetrën për dështimin e seancës konstituive.

Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën për siç ka thënë, “sulm institucional ndaj Kosovës", e opozita e fajësoi atë për përpjekje për ta shkelur Kushtetutën.

Kryeministri në detyrë ka shkruar në Facebook se kjo është situatë e paparë për shtetin dhe shtoi se partitë opozitare e Lista Serbe treguan “se janë edhe kundër vetvetes”.

“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë”, tha Kurti. 

Me frymë të ngjashme ka folur edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se opozita ka qasje bllokuese.

Haxhiu tha se rezultati zgjedhor është i certifikuar dhe nuk ka kuptim të hapet një çështje e organeve zgjedhore kur kanë përfunduar të gjitha procedurat. 

“Para se të ndodhë certifikimi i rezultateve, ne, secili nga ne e kemi njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që e pranojmë mandatin e deputetit dhe rrjedhimisht, duke qenë që sot ka qenë seanca konstituive, në rast se kjo seancë konstituive ndodh ne i kemi kryer obligimet që kemi pasur me dorëheqje dhe ne kemi pasur një komunikim me përfaqësuesin e PDK-së për këtë çështje: tha letra s’më bindi, çka t’i bëjmë? Nuk e paska bindur letra”, tha Haxhiu.

E kryetarët e partive opozitare thanë se përfaqësuesit e LVV-së po e shkelin ligjin për Qeverinë, që e miratoi vetë Qeveria Kurti 2, i cili i obligon zyrtarët me pozita ekzekutive të dorëhiqen në prag të certifikimit të rezultateve.

“Po e përcjelli njoftimin: cilin njoftim? Ku është njoftimi? Jam efektivisht i dorëhequr. Jo, jo efektivisht nuk je i dorëhequr, shkruaje dorëheqjen dhe në rregull është. Kanë dhënë edhe më herët kryeministrat dorëheqje dhe kanë qëndruar në zyrë, por s’ka pasur Ligj për Qeverinë. Këta more e kanë bërë ligjin vetë, nuk ua kemi bërë ne”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.  

“Në qoftë se është dhënë një letër dorëheqjeje dhe të njëjtët kanë vazhduar në zyrë dhe zyrat i kanë këtu, atëherë çfarë vlere ka kjo letër një njeri që jep dorëheqje nuk e vazhdon punën si kryeministër i Kosovës, ju lus të shkoni tek kryeministria ta shihni se a është kryeministri i Kosovës kryeministër apo është deputet në Kuvendin e Kosovës sepse të dyja s’mundet”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ligji nuk lejon mbajtjen e postit të kryeministrit apo të ministrit “dhe të betohesh si deputet”

Haradinaj është shprehur se “nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht”, duke shtuar se raportin e Komisionit nuk e vlerësuan pasi “nuk mund ta shkelim Kushtetutën”.