Kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale siç e ka urdhëruar Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai mori pjesë në një ceremoni të vendosjes së gurit themeltar të një çerdheje në Gjilan. Kurti përsëriti gatishmërinë e tij të dëshmojë dhe i ftoi sërish hetuesit që të shkojnë në zyrën e tij. Prokuroria Speciale ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa në përputhje me ligjin
Në kohën kur i ishte caktuar paraqitja në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij, kryeministri Albin Kurti ishte rrugës për përurimin e një çerdheje në Gjilan.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka urdhëruar atë të dëshmojë që nga 21 shkurti, e termini i ri për këtë ishte të martën në orën 10:00.
Por kryeministri përsëriti se është i gatshëm të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore dhe i ftoi sërish hetuesit e Prokurorisë Speciale që të shkojnë në zyrën e tij.
Organin e akuzës, ai e fajësoi se po e lufton Qeverinë.
“Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit...Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime.... Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte te ne. Një prokuror që ka synim dëshminë e një dëshmitari, ajo nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse i humbi Prokuroria 3 muaj. Për bindjen time është e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarku sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë s’ka qenë më e lirë. Lirinë po e përdor e keqpërdor për të luftuar Qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj”, ka thënë Kurti.
Për refuzimin e Kurtit për t’u paraqitur në zyrat e saj, Prokuroria Speciale ka njoftuar se do të veprojë në përputhje me ligjin në fuqi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit për të dhënë dëshminë e tij, me datë 04.03.2025 në orën 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet e tjera do të veprojë duke respektuar legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Për rastin ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në një njoftim për media thuhet se “zbatimi i ligjit nuk mund të interpretohet sipas shijeve të Kurtit”.
“Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit. KPK dhe ZKPSH potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e KPK-së dhe ZKPSh-së.
Ndaj këtyre institucioneve ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Le t’iu tregojë dikush KPK-së dhe ZKPSH-së, që kryeministri Albin Kurti nuk është kryeministër në detyrë dhe se sot është data 4 mars dhe jo 4 shkurt.
Fakti që i referohen si kryeministër në detyrë, flet shumë”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, intervistimi i kryeministrit si dëshmitar është paraparë si pjesë e hetimit lidhur me rastin për rezervën shtetërore, ku të dyshuar janë zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë: Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Dyshimet janë se vlera e dëmit është mbi 600 mijë euro.