LAJMET E MBRËMJES

Kurti akuzon Serbinë se ndikoi në zgjedhje: U përfshinë edhe Vuçiqi e Radoiçiqi

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia ka ndikuar në zgjedhjet e 9 shkurtit përmes metodave të ndryshme, përfshirë ofrimin e përfitimeve financiare, kërcënimeve e shantazheve në favor të votimit të Listës Serbe.  Ka theksuar se cak i kërcënimeve ka qenë edhe vetë ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Sipas tij, jo vetëm që serbëve iu imponua votimi i Listës Serbe, por pati imponim edhe se cilët kandidatë duhet t’i votojnë

Serbia si tërësi politike, përfshirë presidentin e saj, institucionet qeveritare, të inteligjencës si dhe opozita serbe ndikuan në zgjedhje duke e forcuar rezultatin e Listës Serbe, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media të dielën.

Kurti ka theksuar se për nxjerrjen e rezultatit të favorshëm për Listën Serbe u përdorën kërcënimet, ku mori pjesë edhe udhëheqësi në terren i sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiqi.

“Presidenti i Serbisë e ka autorizuar kryeterroristin Radoiçiq për të zhvilluar planin e ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Në kuadër të këtij plani ka qenë përpilimi i listave me votues të sigurt. Listat e tilla i kanë përmbajtur së paku 50 persona ‘votues të sigurt’. Sipas urdhrit, këta të ashtuquajtur votues të sigurt janë kërcënuar se nëse nuk do ta votojnë Listën Serbe do të kenë pasoja. Pjesëtarë të strukturave ilegale serbe janë kërcënuar nga Milan Radoiçiqi përmes Ivan Zaporozhac, kryetarit të Komunës ilegale të Mitrovicës që të raportojnë të gjithë ata persona që refuzojnë ta votojnë Listën Serbe, të nënshkruhen në listat e të ashtuquajturave “vota të sigurta” apo që të deklarohen se do t’i bojkotojnë zgjedhjet”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, ministri Nenad Rashiq, ka marrë vazhdimisht kërcënime nga Milan Radoiçiqi. 

“Ndërkaq ministri për Komunitete dhe Kthim, z. Nenad Rashiq, në vazhdimësi është kërcënuar nga Millan Radoiçiqi dhe personat e afërt të tij duke tentuar që ta shantazhojnë në forma të ndryshme të fabrikimeve, për t’ia dëmtuar reputacionin te votuesit serbë dhe për ta detyruar që të tërhiqet nga gara. Ai dhe ministria që e drejton kanë qenë gjithashtu cak edhe i sulmeve kibernetike me ç’rast profili i Nenad Rashiqit dhe Ministrisë në rrjetet sociale janë hakuar”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë se Serbia u angazhua që përveçse t’u tregojë komuniteteve joshumicë në Kosovë se për cilin subjekt të votojnë, sipas tij, ka pasur imponim edhe për  përzgjedhjen e kandidatëve.

Ndërhyrjeje në zgjedhje, sipas Kurtit, pati edhe nga opozita në Kuvendin e Serbisë.

“Zharko Ristiq nën udhëzimet dhe direktivat e shërbimeve serbe të inteligjencës dhe të pushtetit në Beograd ka ndikuar në përçarjen e liderëve të partive të tjera serbe, rivale të Listës Serbe, në kohën kur partitë ndodheshin në përgatitje të fushatës së tyre zgjedhore. Ristiq, duke u shtirur se është për bashkimin e këtyre në një listë të vetme përmes ndërhyrjeve të ndryshme, në fakt e ka bërë saktësisht të kundërtën e kësaj – përçarjen e tyre”, ka thënë Kurti.

E ministri Rashiq ka thënë se 13 mijë deri në 18 mijë votues u sollën nga Serbia duke u detyruar të votonin për Listën Serbe.

Partia e Rashiqit ka fituar një mandat, derisa nëntë të tjerët të rezervuar për komunitetin serb, Lista Serbe.

E mes Rashiqit e Listës Serbe të dielën pati kritika e fyerje.

Rashiqi ka kërkuar publikisht nga Lista Serbe ta sqarojë se si mori vota në komuna si Juniku e Podujeva, ku nuk ka serbë.

Ai aludoi po ashtu se subjekti goran Partia e Bashkuar Gorane (JGP) i nxori mbi 100 vota për Listën Serbe në Dragash.

“Po e përsëris edhe një herë se absolutisht kjo nuk është e saktë. Para së gjithash do t’i pyesja ata – nëse thonë që ne morën vota nga shqiptarët, atëherë le të përgjigjen se si ata morën vota në Gjakovë, në Drenas, në Kaçanik, në Podujevë, në Prishtinë, në Shtime, në Ferizaj, në Malishevë e edhe në Junik kanë marrë vota dhe dua ta theksoj që edhe në Dragash ku mesa di unë nuk jetojnë serbët i kanë marrë 119 vota. Dhe kjo mund të jetë tragjikomike me lobimin e përfaqësuesve politikë goranë”, ka thënë Rashiq.

Përgjigje të ashpër dha Lista Serbe, që iu referua me cilësime të rënda Rashiqit, duke e quajtur edhe tradhtar dhe njeri që rri në prehër të kryeministrit Kurti.

LS-ja u krenua me faktin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, i ka dhënë mbështetje, derisa e akuzuai Rashiqin se po tenton t’u japë mbështetje protestave në Serbi.

“Jemi krenarë që qëndrojmë nën flamurin serb dhe kemi mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, sepse falë kësaj mbështetjeje, serbët mbijetojnë në këto hapësira, ndërsa Rashiqi qëndron përkrah Kurtit, i cili dëshiron të dëbojë gjithçka serbe. Pas kësaj konference, është e qartë për të gjithë se ata që sulmojnë Vuçiqin dhe kërkojnë dorëheqjen e tij janë zgjatime dhe shërbëtorë të Albin Kurtit, të cilët dëshirojnë që të mos ketë më serbë në Kosovë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

E kryetari i Partisë Demokracia Serbe, Aleksander Arsenijeviqi, i cili nuk arriti të fitonte ulëse në Kuvend, përmes një shkrimi “iu lut” kryeministrit Kurti që të mos e mbrojë partinë e tij, derisa Rashiqin e fyeu duke e krahasuar me gungë që paraqitet në gjenitale.

Me gjithë ankesat, as Lista Serbe e as Demokracia Serbe nuk kanë parashtruar ankesë lidhur me rezultatin zgjedhor.