Në një konferencë, ku kryetemë ishin praktikat për luftimin e korrupsionit, kryeministri Albin Kurti ka hedhur akuza në drejtim të prokurorisë dhe gjyqësorit. Ai është shprehur se institucionet e sistemit të drejtësisë po bëjnë hetime të dobëta e po i dënojnë pak dhunuesit e kriminelët
Kryeministri Albin Kurti ka adresuar sërish akuza ndaj sistemit të drejtësisë.
Në konferencën rajonale me temën “Praktikat më të mira për parandalimin e korrupsionit – nga politika në veprim rajonal për parandalimin e korrupsionit”, e organizuar të hënën nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ai ka thënë se prokuroria po ngre aktakuza të dobëta e gjyqësori nuk po i dënon kryerësit në përputhje me peshën e veprave penale.
“Për fat të keq e në dëm të shtetit të Kosovës, sistemi gjyqësor dhe prokurorial nuk mund të zhvillohen me hapat e zhvillimit me të cilët po ecin Qeveria e Kosovës dhe shteti ynë demokratik. Ende ballafaqohemi me hetime joefikase, aktakuza të dobëta, aktgjykime liruese kundrejt krimit e për më keq, dënime të buta ndaj dhunuesve dhe kriminelëve. Ne duam gjyqësor të pavarur e profesional dhe prokurori të ndershme e aktive, por pavarësia nuk nënkupton mungesë të llogaridhënies, gjyqësori nuk është i pavarur nga shteti , është i pavarur nga shtyllat e tjera të pushtetit”, ka thënë ai.
Kurti është shprehur se me vullnetin politik të Qeverisë janë zhbërë shumë struktura kriminale në veri në vendit.
Ka folur edhe për Ligjin mbi Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është rrëzuar nga Kushtetuesja. Ka shtuar se me disa ndryshime, ligji mund të kalojë në Kuvend dhe se me hyrjen në fuqi të tij do të japin përgjegjësi të gjithë ata që, sipas tij, janë pasuruar në dëm të popullit.
“Këto tashmë i kemi ndalur, këto më nuk do të kthehen dhe ajo epokë e zymtë për Kosovën ka përfunduar. Pas vetëm një qeverisje të suksesshme u patëm e rritur në 20 numra në indeksin e performancës. Tani më korrupsioni nuk listohet si një ndër problemet më të mëdha të pushtetit siç ishte gjatë kohës së qeverisjeve paraprake….kemi liruar veriun e vendit tonë nga bandat kriminale të cilat mbështeteshin dhe financoheshin e dirigjoheshin nga pushteti serb dhe terrori mbi qytetarët ka marr fund. E kemi hapur veriun për zhvillim ekonomik përmes hapjes së bizneseve të reja”, ka shtuar ai.
E Adea Pirdeni, ministre e Administratës Publike dhe Antikorrupsionit në Shqipëri, ka thënë se gjyqësori në vendin e saj është i pavarur. Ka marrë si shembull edhe punën e bërë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
“Kur flasim për gjyqësorin, nuk mund të lëmë jashtë këtu një nga iniciativat më të rëndësishme sikurse ishte krijimi për herë të parë e një prokurorie të posaçme për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Që nga krijimi i këtij institucioni në 2019, në kohë të shkurtër në më pak se 5 vjet, sot ky institucion ka mundur të krijojë një trak rekord të qenësishëm të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, të krimit të organizuar. Sot koncepti i pandëshkueshmërisë është i shembur”, ka thënë ajo.
Ndërkaq shefi i misionit të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, ka theksuar se korrupsioni është “pengesë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta”. Ka shtuar se e objektivat e OKB-së, si dhënia fund varfërisë, arritja e barazisë gjinore, paqja me institucionet e forta dhe veprimet e shteteve për klimën, nuk mund të arrihen pa u luftuar dhe pa u parandaluar korrupsioni.
“Për Kombet e Bashkuara luftimi kundër korrupsionit është prioritet, është ekzistenca e tij që është pengesë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta të paqen dhe sigurisë dhe të drejtave të njeriut dhe zhvillimet të vazhdueshëm…Kombet e bashkuara e kanë bërë të qartë nëse nuk ia dalim ta luftojmë me sukses korrupsionin atëherë do të kemi problem t’ia arrijmë qëllimet tona. Vitin e kaluar në vitin 2023 një ditë shënuese është përdorur në Samitin që ka kërkuar që të përshpejtohen luftimet globale kundër korrupsionit duke përfshirë e dhe obligimet për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin”, ka deklaruar ai.