LAJMET E MBRËMJES

Kurteshi: Ka shumë fakte se në vrasjen e Deharit kishte implikim nga maja e shtetit

Për deklarimet e bëra javën e kaluar, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale. Kurteshi tha se i qëndron prapa asaj që ka thënë në konferencën për shtyp dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme për implikime politike në rastin e vdekjes së aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, të martën është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale lidhur me deklarimet e tij të bëra gjatë një konference javën që shkoi, ku për vdekjen e Astrit Deharit implikoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli.

Kurteshi pas intervistimit që zgjati rreth tri orë shprehu bindjen që ekzistojnë fakte të mjaftueshme se në vdekjen e Deharit ishin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Unë nuk i posedoj ato fakte, vetëm jam njëri nga personat që e përcjell rastin. Janë mbi tre mijë faqe, dokumente të ndryshme në lidhje me rastin, prova, analiza e rekomandime në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre i kam lexuar e përcjell rastin. Aty ka me qindra dëshmi dhe fakte qe vërtetojnë bindjen time që rasti i Deharit është vrasje e plotë me urdhër nga lart”, ka thënë Kurteshi. “Unë jam i bindur dhe ka shumë fakte, jashtëzakonisht shumë fakte, të cilat unë i dhashë në prokurori se implikimi i majës së shtetit bashkë me institucionet vartëse të sigurisë dhe drejtësisë është i dukshëm nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet, deklaratat të cilat deri sot janë në dorë të publikut dhe institucioneve”. 

Ai gjatë intervistimit në Prokurori u shoqërua nga avokati Tomë Gashi, i cili tha se klienti i tij ka dhënë deklaratë edhe për përfshirje në rastin Dehari edhe të figurave udhëheqëse të institucioneve të drejtësisë.

“Zotëri Kurteshi ka deklaruar edhe për tentativën e një kryeprokurori, Sylë Hoxha, në këtë rast, i cili ka tentuar që ta mbyllë rastin kinse si vetëvrasje, 13 ditë pas vrasjes së Astrit Deharit dhe që kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë avokati Gashi.

Gashi ka bërë të ditur se me Rastin Dehari tani po merret prokurori special, Bekim Kodraliu, i cili u caktua rishtazi, pas pensionimit të atij paraprak, Afrim Shefkiu. 

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 4 nëntor 2016, në kohën sa ishte i dyshuar për sulmin në Kuvend me granatahedhës, të datës 4 gusht 2016.