LAJMET E MBRËMJES

Kupina rizgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal në Prishtinë

Zgjedhja e Fehmi Kupinës të LDK-së në postin prej të cilit është shkarkuar tetë muaj më parë, është bërë e mundur në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, e cila është përcjellë me pengesa të vazhdueshme, duke përfshirë bojkotimin e regjisë së Kuvendit dhe ndaljen e mikrofonave për asamblistët

Janë dashur tri raunde të votimit që Fehmi Kupina, nga Lidhja Demokratike (LDK), të zgjedhjet sërish në detyrën e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Prishtinë.

Zgjedhja e tij tetë muaj që pas shkarkimit nga kjo pozitë është bërë e mundur në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, e cila është përcjellë me pengesa të vazhdueshme, duke përfshirë bojkotimin e regjisë së Kuvendit dhe ndaljen e mikrofonave për asamblistët.

Seanca që nga fillimi është përcjellë me probleme, përfshirë vonesat e asamblistëve.

Ajet Brajshori, asamblist më i moshuar dhe pjesëtar i LDK-së, ka kërkuar 30 minuta pauzë, porse kjo kërkesë e tij nuk ka hasur në mirëkuptim të opozitës.

“Me të vërtetë kjo është e dhimbshme dhe nuk ka analogji më të mirë sesa kjo që ka ndodhur sot me korrikun e vitit 1990, ku delegatëve të Kosovës në atë kohë iu patë mundësuar hyrja në Kuvendin e Kosovës, neve nuk na u pamundësua hyrja, por na u pamundësua puna”, ka thënë Gëzim Sveçla, këshilltar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Ani se iniciuese e seancës së jashtëzakonshme ka qenë LVV-ja, ky subjekt politik nuk e ka propozuar ndonjë kandidat për postin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të kryeqytetit.

Kupina, si asamblisti i vetëm, është propozuar nga Gëzim Mehmeti i Aleancës Kosova e Re (AKR).

Por në votimin për zgjedhjen e tij kanë abstenuar asamblistët e Partisë Demokratike (PDK).

Leutrim Ratkoceri, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se votimi ka qenë zgjedhje individuale.

“Votimi ka qenë në bazë të vullnetit të asamblistëve, ne nuk kemi pasur kandidat dhe vetvetiu kjo ka nënkuptuar që PDK-ja ka mundur të votojë edhe kandidatë të tjerë. Qëndrimi ynë ka qenë abstenues. E rëndësishme është që u bë një hap drejt zhbllokimit të situatës”, ka theksuar ai.

Në seancën e së enjtes, në sallë, krahas atyre të LDK-së, kanë munguar edhe asamblistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe Endrit Zabërrgja nga NISMA dhe Agim Kuleta nga Lëvizja për Bashkim (LB).

Pas rizgjedhjes, Kupina ka bërë zotimin se nuk do të lejojë që Kuvendi Komunal të përdoret për favore politike.

“Ju garantoj se do të jem i hapur për diskutim me secilin prej jush. Ju garantoj se ky kuvend nuk do të shfrytëzohet nga askush për interesa politike”, ka thënë ai.

Pas shkarkimit të Kupinës më 27 qershor të vitit të shkuar, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës u pati zgjedhur Pëllumb Bajqinovci nga radhët e LDK-së, i cili është shkarkuar gjithashtu një muaj pas zgjedhjes.