LAJMET E MBRËMJES

Kujtohet vrasja e 45 civilëve shqiptarë në masakrën e Reçakut

Janë bërë 26 vjet qëkur forcat serbe kryen masakër mbi popullsinë civile të fshatit Reçak. Për të përkujtuar 45 të vrarët, të mërkurën, në Kompleksin Memorial të Reçakut bënë homazhe me mijëra qytetarë, por edhe udhëheqës institucionalë e partiakë. Mes mysafirëve ishte edhe njeriu që i bëri jehonë këtij krimi serb – William Walker

Agron Mehmeti e ka rrëfyer me dhjetëra herë, përfshirë edhe në Tribunalin e Hagës, rrëfimin për tmerrin që pa e përjetoi më 15 janar 1999 në Reçak, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Mehmeti, i mbijetuar i masakrës, të cilit iu vranë dy familjarë të afërt, thotë se do të vazhdojë të flasë e të rrëfejë derisa të arrihet drejtësi.

“Atë ditë në fshatin Reçak ka ndodhur diçka që njerëzit në botë nuk mund ta paramendonin që një popull tjetër ta bëjë mbi një popull tjetër. E ata janë vrarë e masakruar pse kanë qenë shqiptarë dhe pse kanë qenë në shtëpitë e tyre. Këtë e ka bërë regjimi dhe Serbia gjenocidale me forca të shumta policore e ushtarake që i kanë kryer krimet në Reçak”, ka deklaruar Mehmeti.

Si një prej banorëve të fshatit, ai, të mërkurën, në Kompleksin Memorial të Reçakut, priti për homazhe mijëra qytetarë, por edhe udhëheqës institucionalë e partiakë.

Mes shumë vizitorëve ishte edhe njeriu i dashur për Reçakun dhe më gjerë – ambasadori William Walker, që 26 vjet më parë i bëri jehonë në botë kësaj masakre të forcave serbe duke e quajtur krim kundër njerëzimit.

Walker, që atëkohë ishte shef i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, përmendi ngrohtësinë që banorët e Reçakut ia falin sa herë që viziton këtë fshat.

“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që janë këtu nga i gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota. Pra, ju falënderoj që po e pasqyroni këtë, ju uroj të gjithëve një ditë shumë të lumtur dhe i uroj gjithë popullit të Kosovës një Vit të Ri të lumtur”, ka deklaruar Walker.

Homazhe për të vrarët e kësaj masakre bënë edhe udhëheqës shtetërorë e partiakë.

U mbajt edhe një akademi përkujtimore, si dhe disa aktivitete të tjera. 

Po ashtu, të mërkurën, në të gjitha shkollat e vendit, ora e parë ia kushtua historisë së masakrës së Reçakut.

Për këtë masakër deri tash janë dënuar dy serbë, por asnjëri nuk është duke vuajtur burgimin – njëri është në arrati e tjetri është dënuar në mungesë.