Me homazhe e vizita te familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës, të premten është shënuar Dita Memoriale për Policët. Udhëheqësit e shtetit kanë thënë se policët Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri janë heronjtë që e mbrojtën Kosovën kur është sulmuar nga Serbia, kontributi i të cilëve shihet sot me shtrirjen e ligjshmërisë në veri
Liderët shtetërorë kanë bërë homazhe të premten dhe kanë vizituar familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës, me rastin e 13-vjetorit të vrasjes së policit Enver Zymeri.
Në Ditën Memoriale për Policët e rënë gjatë kryerjes së detyrës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, fillimisht kanë bërë homazhe pranë lapidarit të policëve.
E pas vizitave në familjet e Zymerit dhe rreshterit të vrarë shtatorin e vitit të shkuar në Banjskë të Zveçanit, Afrim Bunjaku, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se rënia e policëve në krye të detyrës e tregon shembullin se si mbrohet atdheu kur rrezikohet e sulmohet.
“Ishim edhe në familjen e Afrimit e tash te familja e Enverit dhe shprehëm rëndësinë që e ka kjo datë, e cila përkujton të gjithë policët e rënë në detyrë. Por të gjithë atyre u prijnë Afrim Bunjaku e Enver Zymeri, që janë heronjtë tanë e të cilët ranë në krye të detyrës për ta mbrojtur atdheun tonë, për ta mbrojtur atë nga Serbia, për ta mbrojtur kur u sulmua nga Serbia në të dy rastet”, ka thënë Konjufca. “Ky është shembulli më i vlefshëm e të cilin duhet ta kujtojmë, sepse është shembulli që kur atdheu rrezikohet e sulmohet, nuk duhet të kursejmë asgjë nga vetvetja. Kështu bënë Afrimi dhe Enveri, sepse dhanë më të shtrenjtën e tyre, sepse nuk u frikësuan që ta japin jetën”.
E kryeministri Albin Kurti, i cili ndodhet në Paris të Francës, lidhur me këtë ditë ka shkruar në rrjetin social Facebook. Ai ka theksuar se Enver Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe i sovranitetit republikan të Kosovës, tek ka përmendur ndryshimet që kanë ndodhur në veri.
“Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme”, ka shkruar Kurti
Edhe presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar heroin Zymeri dhe policët tjerë e rënë në detyrë.
“Guximi, përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe kolegëve të rënë në detyrë janë shembulli i shërbimit dhe sakrificës për atdhe. Trashëgimia e tyre është testament i ndershmërisë, qëndrueshmërisë dhe patriotizmit. Në këtë ditë i kujtojmë edhe të gjithë policët e rënë në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës. Ata janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale.
E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Enver Zymeri është kthyer në shembull e motiv për qindra vajza e djem që shërbejnë në çdo cep të Kosovës.
“Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës”, ka thënë ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se shembulli i Zymerit dhe i heronjve të tjerë “janë modeli mbi të cilin lindi dhe frymon ky shtet”.
“Jeta dhe përditshmëria e Enverit, Afrimit dhe të gjithë atyre që bien për atdhe, është një mision i pandalshëm, i cili ushqehet nga vizioni se kushdo që prek territorin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të përballet me fuqinë në rritje, të cilën e ndiejnë vetëm ata që kanë dhuntinë që, kur e kërkon atdheu, të gjenden në pikat më të larta të shërbimit me dinjitet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në 13-vjetorin e rënies së policit, Enver Zymeri, familja ka hapur dyert të premten për ngushëllime. Muhamet Zymeri, axha i Enverit, ka thënë për “Ekonomia Online” se periudha që nga rënia e tij ka qenë e vështirë për familjen.
“Këto vite nga rënia e Enverit kanë qenë goxha të rënda, por megjithatë është dashur me i përballu se është një vlerë sublime jo vetëm për familjen por për fshatin, komunën e për krejt shtetin”, ka thënë Muhamet Zymeri.
Homazhe janë bërë të premten edhe në Zubin-Potok, tek vendi ku ishte vrarë Enver Zymeri, prej ku kryeparlamentari Konjufca është zotuar për mbështetje të përhershme familjeve të policëve të rënë.
Edhe Sindikata e Policisë së Kosovës e ka shënuar Ditën Memoriale, duke postuar një fotografi me 23 policët e rënë në krye të detyrës, që nga paslufta.