Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, si dhe ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, janë deklaruar të pafajshëm në rastin më të ri të Speciales. Në aktakuzën e konfirmuar më 29 nëntor, ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Në këtë rast të akuzuar janë edhe Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu
Pas ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu, paraqitjen e parë në gjykatore për rastin më të ri të Speciales, të hënën e bënë edhe ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj.
Ata u deklaruan të pafajshëm në akuzat për veprën penale “pengim i administrimit të drejtësisë”.
Kuçi gjatë fjalimit të tij përmendi Thaçin, duke thënë se gjithherë bashkë me të i kanë shërbyer drejtësisë dhe nuk e kanë penguar atë.
“Më lejoni të them se Hashimin e kam mik. Kemi punuar për vite të gjata bashkë. Gjatë tërë punës së bashku ne kemi punuar dhe kemi udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi. Unë si jurist kam përdorur sloganin ‘sundimi i ligjit, me ligj’ e edhe sot besoj që kjo gjykatë po e bën dhe do ta bëjë të njëjtën gjë. Puna ime është identifikuar në funksion të ndërtimit të drejtësisë, në respektimin e vendimeve gjyqësore, me besimin në drejtësi dhe jo me mosbindje ndaj urdhrave të gjykatës çfarë thotë akuza”, është shprehur Kuçi.
Ai ka thënë se vazhdimisht është angazhuar në fushën e drejtësisë. Kuçi është shprehur se me këtë aktakuzë i janë lënduar dinjiteti dhe reputacioni edhe si ish-anëtar i mbrojtjes së Kadri Veselit, por edhe si profesor i Universitetit të Prishtinës.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën e jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë për 30 vite, si ish-kryetar i Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës – që Kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate, si anëtar i ekipit mbrojtës të kryetarit (Kadri) Veseli pranë kësaj gjykate, këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional, por edhe të reputacionit tim”, ka thënë ai.
Po ashtu, edhe Kilaj është deklaruar i pafajshëm lidhur me të gjitha akuzat.
“Deklarohem plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Kilaj.
Ky është rasti i katërt i ZPS-së lidhur me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Kuçi po përballet me dy akuza për mospërfillje të gjykatës. ZPS-ja pretendon se atë e ka shtyrë Hashim Thaçi që t’u japë udhëzime dëshmitarëve.
Për njërin prej tyre ZPS-ja pretendon se Kuçi i dërgoi mesazh përmes telefonit.
“Po ashtu, Hajredin Kuçi dështoi t’i bindej urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake që ndalon kontaktin me dëshmitarët e ZPS-së jashtë dispozitave të zbatueshme në kuadër të protokollit të kontaktit në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’, të miratuara në (dokumentin) KSCBC-2020-06/F00854, duke i çuar mesazh dëshmitarit 1 më datën 12 prill 2023 apo rreth kësaj date”, thuhet në pikën 33 të aktakuzës.
Ndërsa Kilaj akuzohet për mospërfillje të gjykatës dhe për tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në versionin publik të aktakuzës thuhet se Kilajt iu gjetën letra në shtëpi me informata që i mori nga Thaçi në Qendrën e Paraburgimit.
“Gjatë vizitës më 2 nëntor 2023, ZPS-ja gjeti materiale që përmbanin informata konfidenciale lidhur me seancat në DHSK dhe informata identifikuese të dëshmitarit të mbrojtur, përfshirë edhe emrin e dëshmitarit. Konkretisht ZPS-ja gjeti faqe të grisura me deklaratat paraprake të dëshmitarit 4, përfshirë edhe pjesën së cilës i referohej Hashim Thaçi gjatë vizitës së 6 tetorit të 2023-tës. ZPS-ja, po ashtu, gjeti një fletore me faqe që përmbante, ndër të tjera, përmbledhje që do të jepej lidhur me dëshminë e një dëshmitari të ZPS-së, përfshirë edhe kodin e dëshmitarit. Shënimet e marra nga banesa e Kilajt përmbajnë informacion që përputhet me përmbledhjet konfidenciale që i janë shpalosur Thaçit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së”, thuhet në pikën 22 të aktakuzës.
Megjithatë, në ZPS e as në Dhomat e Specializuara nuk u përgjigjën në pyetjet e KOHËS nëse pretendimi i Prokurorisë është se ai ka kontaktuar dëshmitarët qoftë vetë apo përmes të tjerëve.
Gjatë seancës të së hënës, përballje patën avokati i Kilajt, Ian Edwards, dhe prokuroi Joshua Hafetz.
Avokati Edwards kërkoi që i mbrojturi i tij të mos mbahet në paraburgim. Ai tha se kjo situatë e re nuk e ndryshon sjelljen e të mbrojturit të tij që për muaj të tërë ishte i lirë si i dyshuar dhe në fund iu bind Gjykatës.
E prokurori Joshua Hafetz tha se aktakuza e konfirmuar ndryshon shumë rrethanat, se paraburgimi si masë e ashpër është në përputhje me peshën e akuzave ndaj Kilajt dhe se i akuzuari mund t’i rrezikojë vetë Dhomat e Specializuara.
Në këtë seancë, gjyqtarja Majorie Masselot refuzoi kërkesën e mbrojtjes së Kilajt duke ia vazhduar atij masën e paraburgimit me arsyetimin se ka rrezik për arratisje, rrezik për vetë Dhomat e Specializuara dhe procedurat penale të Prokurorisë dhe të Gjykatës Speciale. E për Kuçin, i cili shkoi në gjykatë me ftesë, nuk vlen masa e paraburgimit ndaj tij. Dhomat e Specializuara nuk treguan nëse ka masa të tjera të sigurisë lidhur me të.
ZPS-ja edhe më herët ka paraqitur pretendime se të akuzuarit në rastin më të madh të Speciales kanë ndikuar te dëshmitarët. Vitin e kaluar Prokuroria bëri kërkesë për kufizimin e vizitave jo të privilegjuara dhe të vendosjes së mbikëqyrjes së rregullt të bisedave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Këtë kërkesë Gjykata e aprovoi pjesërisht. Në kërkesën e Prokurorisë pretendohej se Thaçi udhëzoi një vizitor të tij që t’i tregojë dëshmitarit se çfarë të thotë para gjykatës. “Bosi ka qenë Demaçi’” dhe “Po vjen këtu, dil nga ky vend hero. Mos dil i turpëruar”, citohet të ketë thënë Thaçi në njërin prej përgjimeve të ZPS-së.
Thaçi, bashkë me Kadri Veselin Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin janë të akuzuar edhe për “krime lufte” e “krime kundër njerëzimit”.
Rasti i parë që e ka përmbyllur Specialja është një që ndërlidhet me frikësimin e dëshmitarëve. Në këtë rast, ish-udhëheqësit e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, janë dënuar nga Gjykata. Pasi vuajtën 2/3 e dënimit dhe pasi shprehën pendim, Gjykata i liroi me kusht.