LAJMET E MBRËMJES

Kthehet në normalitet furnizimi me ujë, qytetarët ankohen për dëme të mëdha materiale

Edhe të dielën kanë vazhduar punimet nga ekipet intervenuese në rregullimin e kanalit të Ibër-Lepencit, që u sulmua me 15 kilogramë eksploziv të premten në mbrëmje.

Rrjedha e ujit nga kanali ende nuk është sanuar plotësisht.

Për të parë punimet që janë duke u zhvilluar në kanalin e hidrosistemit jetik për furnizimin me ujë të komunave dhe KEK-ut, të pranishëm ishin edhe zyrtarë qeveritarë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se rrjedha e ujit nga kanali do të rregullohet brenda një jave.

“Ne pas diskutimeve që i patëm këtu me ekipin e inxhinierëve, do të fillojmë menjëherë që nga nesër dhe diku për rreth një javë do ta përfundojmë bypass-in në mënyrë që të punojmë pa rrjedhjen e ujit dhe më pastaj rregullimi i kësaj zgjat më shumë por ndërprerja e ujit nuk do të ndodhë asnjëherë sepse bypass-i është i tillë që të mos ketë rrjedhje të ujit dhe punimet të punojnë pa pengesa në pjesën e kanalit”, u shpreh Durmishi.

E familja Lazareviq që jeton në fshatin Vagarë të Zubin-Potokut, afër kanalit ku ndodhi sulmi terrorist, thotë se shtëpia e tyre është bërë e pajetueshme.

Pronari i shtëpisë, Miladin Lazareviq, tha se sulmi u ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.

“Tjegullat na kanë rënë nga kulmi nga dridhja e fortë shtëpia më nuk është e përdorshme për jetë. Unë merrem me bujqësi, nuk punoj askund, jetoj nga shitja e qumështit, djathit nga blegtoria, kam edhe dy basene me peshq me trofta nga të cilat jetoja e kjo e gjitha është shkatërruar brenda 20 minutash, gjysme ore. Hambarët e disa shtazë i kamë shpëtuar disa jo nuk e di a ka pas mbet ndonjë e gjallë.  Kjo do të thotë se nuk jam në gjendje të shkelë askund t'i kërkoj shpezët”, ka thënë Lazareviq.

Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, tha se do t’u dalin në ndihmë qytetarëve që janë dëmtuar materialisht nga sulmi.

“Siç po e shihni uji po rrjedhë akoma, unë do ta shqyrtoj më pa alternativat me zjarrfikësit me i ndihmu në kanalin që uji mos me ju hy në aneksin e shtëpisë, komuna do t’i shqyrtojë mundësit e veta, prej nesër e tutje do të shohim çka mund të ofrojmë, do të bëjmë një komision me i vlerësuar disa gjëra”, ka shtuar Zeqiri.

E, pas dëmeve që sulmi terrorist shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, la pa ujë të pijshëm qytetarë të disa komunave.

Por, sipas Ministrisë së Ekonomisë, është kthyer në normalitet furnizimi me ujë për zonat e prekura.